Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ngrijnë së shpejti të gjitha përgatitjet për dërgimin e aeroplanëve luftarakë “F-35” në Turqi, duke e dhënë kësisoj sinjalin më të fuqishëm deri më tani se Ankaraja nuk mund të ketë edhe aeroplanë të avancuar të SHBA-së e edhe sisteme të mbrojtjes ajrore (S-400) të Rusisë.
SHBA-ja gjatë viteve të fundit ka përkeqësuar dukshëm marrëdhëniet me Turqinë, një aleate e NATO-s, pasi ka dështuar deri më tani që ta bind presidentin, Recep Tayyip Erdogan, të mos i blejë sistemet ruse të mbrojtjes ajrore, ka raportuar “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.
“S-400-shi është një kompjuter. F-35-shi është një kompjuter. Ju nuk e fusni në kurth kompjuterin tuaj për hir të kompjuterit të kundërshtarit dhe kjo do të ishte mu ajo gjëja që do të bënim”, ka thënë Katie Wheelbarger, ushtruese e detyrës së ndihmëssekretares së departamentit për çështje të sigurisë ndërkombëtare. Teksa ende nuk është marrë një vendim i prerë, zyrtarët amerikanë kanë konfirmuar se Washingtoni po e shqyrton me seriozitet masën.