Kryeministri Kurti është mburrur me projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, që në ditën kur Qeveria miratoi atë. Me Hekuran Muratin pas vetës, Kurti po arrin të shkëputet pak nga zhvillimet me Serbinë, për t’u treguar qytetarëve se si e ka ndarë ai buxhetin e 2023-s. Opozita ia ka kontestuar deklaratat për një buxhet historik duke e akuzuar edhe për 600 milionë eurot në bankë të cilave thonë se u ka humbur edhe vlera.
Kryeministri Albin Kurti thotë se buxheti i Kosovës për vitin e ardhshëm është më i larti në histori të Kosovës, 3 miliardë e 212 milionë euro. Kjo i kontestohet nga opozita, që ia përmend inflacionin.
Kurti, krenar me projektbuxhetin e tij, ka nisur të udhëtojë nëpër komuna të Kosovës, për t’ua shpalosur qytetarëve ndarjet buxhetore të vitit të ardhshëm dhe përfitimet, që, sipas tij, do t’i kenë ata.
Këtë javë, ndonëse me brenga të tjera që lidheshin me veriun e vendit dhe targat, Kurti udhëtoi në Prizren, për të folur ekzkluzivisht për shifra. Gjatë “shfaqjes” në qytetin jugor iu ndalë rryma s’i për t’ia kujtuar atë që e kishte thënë edhe vetë, se Kosova është para një dimri të vështirë, për furnizim me rrymë.
“Buxheti i vitit 2023, pra 3 miliardë e 212 milionë euro, është më i larti në historinë e Republikës tonë. Kjo pasi përkundër sfidave e krizave globale, vitin e kaluar e kishim vitin më të suksesshëm në historinë e shtetit tonë, për sa i përket të hyrave buxhetore dhe rritjes ekonomike”, kishte thënë Kurti të martën në Prizren.
Një ditë pas, më 23 nëntor, nga Prizreni, Kryeministri Kurti është “ngjitur” në Mitrovicë, për t’i dhënë një prezantim projektbuxhetit. Mitrovicasve ua përmendi bendet e njohura muzikore, klubin e basketbollit, perecat e njohura por edhe rrugën që deri mund të përshkohej për gjysmë ore, por që ky nuk është rasti tani.
Ai tha se buxheti i planifikuar për Komunën e Mitrovicës, për vitin 2023 është mbi 25 milionë euro, dhe së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati diskutuan më në detaje se si dhe ku është paraparë ndarja e buxhetit për këtë komunë.
Më 24 nëntor, një natë pasi ishte nënshkruar marrëveshja Kosovë – Serbi për targat, Kurti do ta prezantonte ndarjen buxhetore në kryeqytet.
Para prezantimit, ai u gjuajt me qershi, gjatë një aksioni të ish-bashkëpunëtorëve, tani anëtarëve të PSD-së, ndaj tij.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Kurti do të vazhdojë edhe në qytete të tjera ta prezantojë projektbuxhetin.
Ankesat për buxhet
Kurti thotë se buxheti i projektuar nga Qeveria e tij për vitin që po vjen është më i larti në historinë e vendit. Ish-kryeministri Haradinaj e thotë të kundërtën.
“Buxheti i paraparë në kufijtë e shpenzimeve 3 miliardë e 212 milionë euro, nominalisht 10.8% më i madh sesa ai i vitit 2022, në fakt është për një të katërtën më i vogël. Nëse shumës së paraparë, ia zbresim 20% inflacion (sipas Bankës Botërore) dhe inflacionin prej 4.3% që qeveria e ka paraparë për vitin 2023, atëherë vlera reale e buxhetit bie në 2.5 miliardë, e që është 400 milionë euro më i vogël sesa buxheti i vitit 2022”, ka thënë Haradinaj.
Një nen i projektbuxhetit të 2023-s thotë se: “të gjitha të hyrat vetanake të komunave të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara bëhen pjesë e fondit të Kosovës në bilancin bankar”. Kjo e ka alarmuar Kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama. Ai ka thënë se 38 milionët e bartura para se ai të bëhej kryetar u takojnë qytetarëve të Prishtinës dhe duhet të mbesin për projekte të komunës.
“Është kundërkushtetuese dhe nëse kalon, ne do të shkojmë në Kushtetuese. Iu kemi bërë thirrje të gjithë deputetëve të mos e kalojnë se është kundërligjore dhe është kundër kryeqytetit dhe qytetarëve të Prishtinës. Ato fonde duhet të mbesin në Prishtinë”, ka thënë Rama.
Në ditën që projektbuxheti u shqyrtua parimisht në Kuvend, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se ky është buxheti më jotransparent, ndonjëherë.
“Ajo çka na bie në sy është që ky është buxheti ma jotransparent ndonjëherë që ka ardhë në historinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dhe këtë e them duke pasur parasysh faktin që plot 271 milionë euro janë të ndara në Ministrinë e Financave dhe Transfereve si kontigjenca dhe fonde për ringjallje ekonomike”, tha Bajrami.
Një ekonomist tjetër, ish-Kryeminisri Avdullah Hoti kur e pa se Kurti filloi tubimet për buxhetin tha se ato ato janë farsë.
“Konsultimet për buxhet zakonisht mbahen para përgatitjes së buxhetit” shkroi Hoti.
Përvec opozitës, kritika rreth buxhetit kishin edhe dy deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje. Haki Abazi foli për mungesën e sigurimit shëndetësor të policëve, për minatorët dhe për deputetët e 2 korrikut. Ndërkaq, deputeti Fatmir Humori tha se nuk e vonon projektbuxhetin, për shkak të anashkalimit të veteranëve të luftës.
Kurti e ka prezantuar projektbuxhetin një javë më parë në Kuvend.
Më 64 vota për, deputetët e Kuvendit të Kosovës, më 17 nëntor, e kanë miratuar në shqyrtim të parë projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2023.