Janë paraqitur renderët të cilët thuhet se e paraqesin modelin e ardhshëm iPhone XI, i cili në anën e pasme e ka një notch të madh për kamerë. Tani i kemi edhe renderët “final” të bazuar në CAD të telefonit iPhone XI, ndërsa në to notchi i përmendur vazhdon të shihet, raporton Cashkaro.
Nëse renderët janë autentikë, ky është ndoshta notchi më i madh për kamerën të cilën e kemi parë deri më tani në ndonjë telefon. Në kuadër të këtij moduli janë vendosur tre sensorë të kamerave, një blic i madh LED dhe hapja për mikrofon. Është interesante se komplet korniza është krijuar nga paneli i qelqit, i cili e mbulon notchin për kamerë.
Në pjesën e përparme është ekrani 5.8-inçësh AMOLED. Burimi i fotografisë thekson se kornizat rreth ekranit përgjithësisht janë bërë më të holla, por telefoni është më i madh sipas të gjithë parametrave krahasuar me paraardhësin. Dimensionet e pajisjes janë 143,9 x 71.4 x 7.8 mm, ndërsa paraardhësi i tij iPhone XS i kishte dimensionet prej 143.6 x 70.9 x 7.7 mm, shkruan KOHA Ditore.
Pritet që Apple do t’i prezantojë pasardhësit e modeleve të tij iPhone XS, XS Max dhe XR si zakonisht gjatë muajit shtator.