“Martin Berishaj para drejtësisë”, mbishkrime të shkruara me këtë mesazh janë parë sot nëpër muret e objekteve institucionale dhe në rrugët e kryeqytetit.
Ka tash e sa muaj që kërkohet të zbardhet e vërteta rreth rastit të Ambasadorit kosovar në Zagreb, i cili ka mohuar gjithçka rreth aferës ku përflitet emri i tij.
Mediat sllovene dhe kroate nga muaji prill i vitit të kaluar kanë publikuar shkrime se Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është i përfshirë në një skandal korruptiv financiar. Raportohet se Berishajt i janë dhënë mbi 2 milionë euro nga dega e kompanisë sllovene në Serbi, GEN-I, para të cilat janë tërhequr kesh nga ai në banka të ndryshme në Kosovë dhe Mal të Zi dhe nuk dihet se ku kanë shkuar.
Po ashtu, Agjencia Kundër Korrupsionit vitin e kaluar ka nisur hetimet ndaj Ambasadorit Martin Berishaj, për deklarim të rremë të pasurisë, përkatësisht për mosdeklarim të aksioneve të tij në kompaninë private “MB Consulting”, ndërsa së fundmi është bërë e ditur që gjatë dhjetorit të vitit 2022 Policia e Kosovës ka ngritur kallëzim penal kundër Martin Berishajt në Prokurorinë Speciale, i cili ka të bëjë me dyshimet e bazuara se Berishaj ka përfituar para nga GEN-I, me seli në Serbi dhe ka bërë shmangie nga tatimet.
Përkundër këtyre fakteve, Kryeminstri Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, po vazhdojnë ta mbrojnë publikisht ambasadorin Berishaj.