ShBA-ja organizon konferencë për Lindjen e Mesme, BE-ja dhe Rusia nuk marrin pjesë

Prishtinë | 13 Shk 2019 | 10:19 | Nga Ekonomia Online

Shtetet e Bashkuara po organizojnë në Varshavë një konferencë për Lindjen e Mesme.

Polonia është nikoqire e kësaj konference dhe ky vend është përafruar me Uashingtonin duke krijuar kështu një kundërpeshë ndaj ndikimit rus.

Irani pritet të jetë në fokus të konferencës që fillon të mërkuren. Teherani e ka cilësuar mbledhjen si një akt armiqësor dhe paralajmëroi pasoja të paspecifikuara për Poloninë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe ministri i Jashtëm polak, Jacek Czaputowicz, do të jenë mikëpritësit e konferencës dy-ditore, në të cilën pritet të marrin pjesë zyrtarë të lartë nga 60 vende.

Midis pjesëmarrësve janë edhe zëvendëspresidenti i SHBA-së, Mike Pence dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, nuk po merr pjesë në konferencë dhe as ministrat e Jashtëm të fuqive të tjera evropiane, përfshirë Rusinë.

Takimi vjen pasi Polonia po shtyn Shtetet e Bashkuara të hapin një bazë të përhershme në territorin e saj.

Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së pritet të publikojë vlerësimin e tij për propozimin muajin e ardhshëm.

Në një konferencë për media në Varshavë më 12 shkurt, ministri i Jashtëm polak, Czaputowicz tha se bashkëpunimi transatlantik ishte i nevojshëm për të zgjidhur konfliktet në Lindjen e Mesme.

“Bashkimin Europian i vetëm, sipas mendimit tim, nuk ka peshë të mjaftueshme politike të ndikojë në situatën në Lindjen e Mesme”, u tha ai gazetarëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme