2064 infermierë shqiptarë kanë emigruar në Gjermani nga viti 2016 deri në vitin 2018. Ky është informacioni që Exit News mori nga Zyra e Statistikave të qeverisë gjermane.
Sipas të dhënave të zyrës gjermane të statistikave për Exit News në vitin 2016 kanë emigruar 87 infermierë; në 2017-të kanë emigruar 735 infermierë dhe në 2018-tën kanë emigruar 1 242 infermierë, ose 700 për qind më shumë se në vitin 2017 dhe 1300 përqind më shumë se sa në vitin 2016.
Numri total i infermierëve të huaj në Gjermani arriti në 10,350 në vitin 2018, ndër to Shqipëria ka numrin më të lartë, gati një të pestën, së bashku me Bosnje-Hercegovinën, Serbinë dhe Filipinet.
Gjermania ka nevojë për personel mjekësor të kualifikuar, dhe qeveria gjermane në mënyrë aktive po inkurajon emigrimin e infermierëve të kualifikuar për të punuar në sistemin shendetësor gjerman.
Kryeministri Edi Rama shpesh herë e ka ulur rëndësinë e emigrimit të mjekëve dhe të infermierëve shqiptarë jashtë vendit. Ai gjithmonë ka artikuluar tezën se kushdo është i lirë të udhëtojë dhe të punojë ku të dëshirojë në çdo vend të botës,dhe kjo nuk e dëmton Shqipërinë.
Gjatë ceremonisë së diplomimit të studentëve të mjekësisë në 20 shkurt, gjatë fjalës së tij përpara 1600 studentëve, Zoti Rama tha se deklarata e opozitës së mjekët deh infermierët po largohen nga Shqipëria në masë për të punuar jashtë janë të rreme.
“Në Shqipëri nuk ka mungesë mjekësh. …Vetëm gjatë 2018-2019 janë punësuar 400 mjekë të rinj, jo vetëm në moshë, por edhe të kthyer nga jashtë dhe 2 200 infermierë. Shumëkush duke dëgjuar lajme, thotë nuk ka mjekë, nuk ka infermierë, ikën të gjithë. Sot që flasim janë 1500 infermierë në listë pritje, jo pas dyerve të partive, jo pas xhaketës së deputetit, jo në kërkim të krushkut apo kushëririt, por në portalin “Infermierë për Shqipërinë”, pasqyrë transparente që nuk të lë të gënjesh”, tha Rama.