Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, është takuar sot me kryetarët e komunave, me ç’rast është njohur nga afër me punën e tyre dhe njëkohësisht ka dëgjuar drejtpërdrejt arritjet, problemet dhe sfidat me të cilat përballen komunat.
Kryetarët e komunave e uruan Presidenten Shiroka Pula për marrjen e detyrës dhe shprehën mbështetjen e tyre për të.
Sipas Presidentes, pushteti lokal është niveli i qeverisjes më i afërt me qytetarin. Ajo ka thënë se komunat janë dera e parë ku qytetarët kërkojnë zgjidhje për problemet e tyre.
Presidentja Shiroka Pula, ka theksuar se në nivelin lokal, qytetarët e shohin çdo ditë se si funksionojnë institucionet dhe sa përgjegjësi tregojnë ato.
Sipas saj, komunat janë edhe urë lidhëse ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve të nivelit qendror.
Presidentja Shiroka Pula i ka siguruar kryetarët e komunave se brenda kompetencave të saj, do t’i mbështes ata.
Ajo është zotuar se në takimet e saj me përfaqësues të shteteve të tjera, institucione ndërkombëtare dhe partnerë zhvillimorë, do ta prezantojë potencialin e komunave tona dhe se do të angazhohet për tërheqjen e investimeve të huaja dhe për mundësi të reja të financimit të projekteve nga donatorët ndërkombëtarë.