Shisnin mallra të kontrabanduara, në pranga babë e bir

Prishtinë | 10 Gus 2023 | 11:40 | Nga Ekonomia Online

Babë e bir kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës pasi akuzohen për shpërndarje dhe magazinim të mallrave kontrabandë.

Sipas policisë mësohet se në kuadër të operacionit të koduar “Next”, babë e bir transportonin mallra të kontrabanduara drejt Shqipërisë, dhe i magazinonin ato, në subjektin në administrim prej tyre.

Gjithashtu në lidhje me këtë ngjarje është proceduar penalisht edhe një punonjës i këtij subjekti. Gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin në administrim nga keta shtetas, në rrugën “Xhanfize Keko”, shërbimet e Policisë gjetën mallra të ndryshme të dyshuara të kontrabanduara.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këto mallra ishin transportuar drejt Shqipërisë, nga dy të arrestuarit, të cilët i magazinonin në këtë subjekt, dhe më pas mallrat shpërndaheshin nga punonjësi i tyre në disa pika shitje, në zona të ndryshme të Tiranës.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mallra të ndryshme të dyshuara të kontrabanduara. Operacioni për goditjen e kësaj paligjshmërie vijon.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Të ngjashme