Shkaku i borës së madhe, bllokohen autostradat në Virginia: Drejtuesit e mjeteve e kaluan natën në vetura

Prishtinë | 05 Jan 2022 | 11:47 | Nga Ekonomia Online

Drejtuesit e automjeteve në shtetin e Virginias amerikane u detyruan të kalonin natën në automjete pasi një pjesë e autostradës kryesore u mbyll për shkak të stuhisë së dëborës që goditi zonën një ditë më parë.

Autostrada I-95, një nga korridoret kryesore të trafikut nga veriu në jug të SHBA-së, është mbyllur në të dy drejtimet pranë qytetit të Fredericksburg, 89 kilometra në jug të kryeqytetit Uashington, njoftoi të martën Sekretariati i Transportit të Virginias.

Bllokimi i trafikut filloi të hënën pasi ranë 30 centimetra borë në jugperëndim dhe lindje të Shteteve të Bashkuara, gjë që shkaktoi aksidente të shumta.

Automjetet kanë mbetur të bllokuara në autostradë gjatë natës, kur temperaturat kanë rënë nën zero, raporton foxnews.

Shërbimet e urgjencës shtetërore dhe lokale punuan gjatë natës për të hequr pemët e rrëzuara dhe për të ndihmuar shoferët e bllokuar.

Rrjetet sociale janë vërshuar nga mesazhet e shoferëve të bllokuar në vetura për orë të tëra, në temperatura jashtëzakonisht të ulëta, shpesh pa ushqim dhe ujë. “Ne kemi ngecur këtu për më shumë se 10 orë. Ne kemi nevojë për një tualet, benzinë. Asnjë hotel në zonë nuk është i hapur”, shkroi një shofer në Twitter. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme