Në tremujorin e patë të këtij viti (TM1 2016) në Kosovë shkalla e papunësisë është 27.7 %, bënë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me publikimin e rezultateve të “Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP) në Kosovë TM1 2016”.
Sipas publikimit, papunësia më e theksuar është te femrat me 30.0%, krahasuar me meshkujt, që është 26.9%. ndërsa, shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 53.8%.
“Sipas rezultateve të AFP-së, në TM1 2016 fuqia joaktive është mjaft e lartë, 64.8%, me fokus të veçantë te femrat me 82.6%, krahasuar me meshkujt, 47.2%”, thuhet në publikimin e ASK-së.
Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e parë (TM1) 2016 është 25.5%. Sipas ASK-së, punësimi më i lartë është te meshkujt me 38.6%, ndërsa punësimi te femrat është 12.2%.
“Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me rreth 51% të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e prodhimit, tregtisë dhe ndërtimtarisë me rreth 44%”.
“Sektorët ekonomikë që prijnë me punësim vazhdojnë të jenë: tregtia me 16.2%; prodhimi me 13.7%; arsimi me 11.8%; dhe ndërtimtaria me 8.9%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim”, thuhet në publikimin e ASK-së.
Sa i përket të punësuarve me kontrata, del se 29.2% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 70.8% kanë kontratë të përkohshme.
Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, del se dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune, ku në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare. Në kuadër të popullsisë me moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 35.2%.