Shkalla e vdekshmërisë në mesin e personave që kanë përfunduar në përkujdesje intensive si pasojë e COVID-19 ka shënuar rënie dramatike që nga fillimi i pandemisë, falë avancimeve në trajtim, ka treguar të martën një studim i ri.
Proporcioni i atyre që janë prekur më së rëndi nga sëmundja dhe që si pasojë kanë vdekur ka rënë nga 60 për qind që nga koha kur u shfaq për herë të parë në fillim të vitit të kaluar, në 36 për qind deri në muajin tetor, ka treguar studimi i trendëve globalë.
Rënia e reflekton trendin pozitiv në aspektin e vdekshmërisë, që ka shënuar rënie prej pothuajse 60 për qind në fund të marsit dhe 42 për qind në fund të majit.
Konstatimet e bazuara në 52 studime anembanë botës, me 43.128 pacientë, janë publikuar në revistën shëndetësore “Anaesthesia”.
Pesë autorët e studimit, që të gjithë specializantë të përkujdesjes intensive në Shërbimin Kombëtar Britanik të Shëndetit Publik, janë udhëhequr nga profesori Tim Cook, një autoritet shumë i respektuar në kujdesin kritik, i cili punon në spitalin “Royal United” në Bath.
Sidoqoftë, mjekët që kanë ndërmarrë hulumtimin tërheqin vërejtjen se përparimi i madh i shënuar në aspektin e vdekshmërisë nga COVID-19 gjatë vitit të fundit mund të mos ketë mbërritur në pikën e sheshimit të rasteve.
e varianteve të reja të koronavirusit, që kanë sëmurë rëndë më shumë njerëz, mund të ndikojë në rritjen e shkallës së vdekjeve, kanë thënë ata. Po kështu, programi i vaksinimit që po zbatohet në të gjithë botën mund ta reduktojë numrin e atyre që kanë nevojë për trajtim potencialisht jetëshpëtues në përkujdesjen intensive.
Në këtë aspekt, një tjetër meta-analizë e tyre e dytë mbi trendët globalë të numrit të vdekjeve pavarësisht kujdesit kritik ka treguar se “në përgjithësi, vdekshmëria në të gjitha studimet është shfaqur më e ulët deri në fund të shtatorit (35.5 për qind) sesa kur raportuam për këtë në fund të majit (41.6 për qind).
Përmirësimi i atribuohet përdorimit më të gjerë të steroidëve, si dexamethasone, dhe ndryshimeve në mënyrën se si pacientët me COVID i marrin terapitë me oksigjen dhe se si është menaxhuar rreziku nga mpiksja e gjakut.
“Rënia e vdekshmërisë në ICU nga COVID-19 është reduktuar apo sheshuar që nga maji i vitit 2020”, kanë shtuar studiuesit.
Vdekshmëria në shumicën e rajoneve të botës tani është 30 deri në 40 për qind, kanë bërë të ditur ata. Për shembull, mesatarja në Evropë është 33.4 për qind, ndërsa në Amerikën Veriore 40 për qind. Megjithëkëtë, vdekshmëria në shtetin e Victorias në Australi, që ngërthen Melbournen, është jashtëzakonisht e ulët, 11 për qind. Dhe, është jashtëzakonisht e lartë, 62 për qind, në Lindjen e Mesme, bazuar në një studim të kryer në katër vende të rajonit.
Të dhënat e ekzaminuara përfshijnë shifra nga Anglia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut, të mbledhura dhe të publikuara çdo javë të pandemisë nga Qendra Kombëtare e Auditimit dhe Kërkimit të (ICNARC). Raporti i fundit, i publikuar të premten e kaluar, ka treguar se vdekshmëria ishte rreth 45 për qind kur pandemia nisi, por që tani është nën 40 për qind.
“Vdekshmëria e vëzhguar (në të tria vendet) ishte në nivelin më të ulët gjatë verës së 2020-s, 27 për qind, për pacientët e pranuar në kujdesin kritik në qershor apo korrik”, ka thënë mjeku James Doidge, ekspert i lartë për statistika në ICNARC. “Derisa vdekshmëria e vëzhguar ka shënuar sërish rritje në muajt e fundit, mbetet prapëseprapë më e ulët sesa do të parashikohej bazuar në karakteristikat e pacientëve të pranuar. Për shembull, 38 për qind e pacientëve ishin në gjendje kritike në dhjetor, krahasuar me 43-46 për qind sa ishte parashikuar”.