Mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ku janë shqyrtuar rekomandimet për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), është përcjell me tensione ndërmjet pozitës dhe opozitës, raporton Ekonomia Online.
Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku e ka quajtur vendim politik inicimin e shkarkimit të Bordit të RTK-së.
“Rekomandimi imi është që mos të iniciohet një shkarkim i tillë për arsye politike. Mbetet në kompetencën e deputetëve që tw vendosim për një shkarkim të tillë. Mediumi i RTK-së ka ngecje të mëdha por të gjeturat nuk kanë qenë aq evidente për një shkarkim të tillë. Jam dakord që të ketë ndryshime në Ligjin për RTK-në sidomos në aspektin menaxherial. Nuk ka kritere që e bëjnë një mbikëqyrje të mirë. Ka mangësi në RTK sidomos në raportimin lidhur me buxhetin. E shohim që ka vullnet për shkarkim, ne e dimë që këto po bëhen për çështje politike” është shprehur ai.
I të njejtit mendim ka qenë edhe deputeti tjetër opozitar Agim Veliu.
“Për mendimi tim nuk është bërë një vlerësim i duhur i Bordit. Ky rekomandim është tërësisht poltik me qëllim të kapjes së një mediumi që duhet të jetë i pavarur” ka thënë ai.
Ndërsa komentet e tilla i ka quajtur të paarsyeshme, kryetarja e Komisonit Doarsa Kica – Xhelili e cila ka kërkuar të mos përseritet vazhdimisht se shkarkimi është politik.
“Dallimi zotëri Lushtaku dhe zotëri Veliu bëhet atëherë kur ju nuk e përdorni këtë refren për secilin shkarkim” ka thënë ajo.
Pas kësaj Veliu i ka kundërpërgjigjuar asaj duke i thënë se nuk mund t’u mbaj ligjerata.
“Ju nuk mund të na mbani ligjerata se si duhet të sillemi ne këtu” ka thënë ai.