Shkatërrimi i “planifikuar”

Prishtinë | 05 Dhj 2023 | 19:27 | Nga Afrim Kasolli

Se Albin Kurti nuk ka pasur asnjë interes dhe qëllim për ta reformuar gjendjen në arsim, ka qenë e ditur që ditën që e ka prezantuar kabinetin e tij qeveritar.

Emërimi i Arbërie Nagavcit në këtë sektor e dëshmon më mirë se çdo gjë tjetër këtë tendencë. Pra me këtë zgjedhje ai është përcaktuar për një keq menaxhim politik të kësaj sfere. Shihet qartë se preokupim i tij ka qenë vetëm shpërblimi i frymës militante partiake më qëllim të instrumentalizmit të arsimit sa herë që i nevojitet.

Detyrë këtë që nuk do ta pranonte dikush me kredibilitet më të madh profesional. Konflikti me sindikatat dhe eksperimenti me tekstet shkollore, janë vetëm dy nga anët më të dukshme të kësaj mendësie. E të mos flasim këtu edhe për shkeljen e normave kushtetuese të ministres së Arsimit vetëm për interesa politike. Albin Kurti e dinte mirë se askush tjetër nuk do të pranonte të vepronte sipas definimit të tij se kush e shkel kushtetutën është “super kriminel”, pos dikush që me vullnet të plotë i nënshtrohet urdhrave të tij. Sepse ai është përfaqësuesi i vetëm i vullnetit të popullit. Prandaj, ky i fundit ka supermaci mbi proceduralizmin juridik dhe nomokratik shtetëror.

Mirëpo, përtej këtij establishmenti qeveritar, nuk mund të mohohet fakti se sot në Kosovë ekziston një frymë për ta dekurajuar dhe demotivuar kulturën e leximit. Dhe kjo vërehet qartë në të gjitha hallkat e sistemit arsimor. Me këtë nuk po them se ekziston një komplot i organizuar botëror për të shkatërruar çdo vlerë dhe standard.

Arsyet e këtij devalvimi mund të jenë të shumta. Elaborimi i të cilave kërkon një hapësirë tjetër. Por, sot Kosova është i vetmi vend ku nxënësit e përfundojnë shkollimin e mesëm me të gjitha pesëshe pa e lexuar asnjë autor si vendas ashtu edhe të huaj. Diçka që e ka qenë e pa paramendueshme për gjeneratat e kaluara. Brezat e mëhershëm që kaluan nëpër stuhitë e ndryshme të kohës ishin më të përkushtuar në këtë drejtim se sa brezat aktual.

Ndërkohë, mjerisht çdo përpjekje për ta ndryshuar këtë tendencë luftohet që në embrion. Kualifikohet si e panevojshme dhe humbje kohe, e cila i dëmton aftësitë dhe shkathtësitë teknokratike që duhet t’i gëzojnë nxënësit. Nën emrin e “pragmatizmit” mendimi dhe leximi thuajse janë shpallur si temë “tabu”. Gjithçka që duhet na qenka vetëm suksesi i jashtëm. E, kjo gjendje mirëmbahet si nga arsimi publik ashtu edhe privat në Kosovë. I pari drejtohet nga synimet e partive politike për interesa elektorale, kurse i dyti nga shtysa për fitim. Sa për krahasim këtu e dy shekuj më parë në Gjermaninë ende të ndarë dhe copëtuar, megjithatë drejtor në shkolla të mesme caktoheshin njerëz si Hegeli. Kurse çfarë është niveli i atyre që i menaxhojnë shumicën shkollave tona nuk ia vlen as të flitet.

E keqja, pohon Hannah Arendt, e ka burimin edhe te paaftësia për të menduar. E nuk ka mënyrë me “efikase” për t’i dhënë udhë ligësisë në një shoqëri se sa duke e shkatërruar atë segment që duhet t’i përgatisë qytetarët e saj, sipas projektit iluminist, për të cilin dikur Immanuel Kanti thoshte se “duhet t’i mësojnë njerëzit që të mendojnë me kokën e tyre”. Prandaj, edhe shumë fenomene morbide që po na ndodhin sot nuk janë të rastësishme. Nja pjesë e tyre ushqehen nga kultura e spektaklit dhe e cila mirëmbahet nga ky model i politikbërjes . Kurse në vend të investimit për kurimin e këtyre patologjive me anë të leximit e mendimit, ne vazhdojmë marshimin drejt një humnere pa shtegdalje. Rezultatet e testit të PISA-as janë dëshmi për këtë “fat” të “pashmangshëm”.

Të ngjashme