Zyrtarët e Agjencisë Kundër Korrupsionit kanë gjetur shkelje ligjore në një tender të Komunës së Fushë-Kosovës. Në një opinion të këtij institucioni (i protokolluar më 3 mars 2019) thuhet se verimet e kësaj komune lidhur me aktivitetin e prokurimit ku ishte paraparë ndërtimi i depove për lëndë djegëse në dy shkolla, bien ndesh me nenin 9 të Ligjit për Prokurim Publik (LPP).
“Agjencia Kundër Korrupsionit duke vepruar sipas detyrës zyrtare pas kontrollimit të njoftimeve për kontratë që ka bërë në sistemin elektronik të prokurimit me datë 29 nëntor 2018, ka nxjerrë vendim me numër protokolli AKK-03-03-4167/18 për fillimin e procedurës për trajtimin e rastit në lidhje me aktivitetin e prokurimit publik me titull: “Ndërtimi i depos për lëndë djegëse për SHFMU ‘Vëllezërit Frashëri’ në Vragoli dhe në SHFMU ‘Daut Bogujevci’ në Fushë-Kosovë” me numër të prokurimit 612/18/8739/521 dhe me nr. të brendshëm 612/18/097/521, iniciuar nga Autoriteti Kontraktues-Komuna e Fushë-Kosovës”, thuhet në arsyetimin e këtij opinioni të AAK-së, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas të njëjtit, Agjencia në bazë të dokumenteve të nxjerra nga sistemi elektronik i prokurimit ka analizuar njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit, ku ka konstatuar se Autoriteti Kontraktues për këtë aktivitet të prokurimit ka paraparë procedurën e hapur, kontratë publike, të llojit punë, me vlerë të mesme të parashikuar prej 15,072.50 euro.