Shkeljet ligjore në proces e kanë detyruar Komunën e Prishtinës ta rivlerësojë tenderin për Qendrën për persona me nevoja të veçanta për Sindromën Down dhe Autizmin.
Por ky veprim i autoriteteve komunale të Prishtinës ka ardhur afro tre muaj pas kërkesës së Organit Shqyrtues të Prokurimit, shkruan sot “Koha Ditore”. Një vendim për këtë çështje, OSHP-ja, e ka marrë edhe në gusht të vjetëm.
Organi Shqyrtues i Prokurimit ka kërkuar që kjo procedurë të mos vazhdohet ngase komuna ka kryer shkelje të vazhdueshme të rregullave tenderuese, për të cilën gjë OSHP-ja ka adresuar përgjegjësinë te menaxheri i prokurimit. OSHP-ja ka paralajmëruar komunën në lidhje me mundësinë e revidimit të licencës për menaxherin, shkaku i këtyre shkeljeve.
Më datën 22 të këtij muaji OSHP-ja ka lëshuar një urdhëresë për Komunën e Prishtinës, për aktivitetin e prokurimit në lidhje me tenderin “Konkurs projektimi për hartimin e projektit për qendrën me nevoja të veçanta-Sindromën Down dhe Autizëm”, ku bëhet e ditur se do të kërkojë t’i pezullohet licenca menaxherit të prokurimit në Komunë, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të mëhershme të OSHP-së.