Kur volejbollistja amerikane Brianna Gardner firmosi kontratë me Dritën e Gjilanit, e dinte se po i bashkohej një skuadre që ishte kampione në Kosovë dhe se ajo po vlerësohej përforcim i madh.
Në fund të stinorit edhe Drita, edhe ajo patën të drejtë. Skuadra mbrojti titullin, kurse Gardner doli të ishte më meritorja në këtë sukses. Volejbollistja 24-vjeçare erdhi në të njëjtën kohë me bashkëkombësen Skylar German, që po ashtu dha kontribut, shkruan sot Koha Ditore.
Në mungesë të Fjolla Shabanit, lojtares më të mirë të vitit të shkuar në Kosovë, amerikanet u treguan përforcime të qëlluara. Për Dritën ky ishte titulli i katërt rresht në Kosovë. Në serinë finale, Drita e mposhti ekipin M-Technologie.
“Kur erdha te Drita, e dija se ekipi ishte favorit për titullin e kampionit, por nuk kam pritur gjithë këto sfida që na dolën deri në fund të edicionit. Ne i tejkaluam të gjitha pengesat dhe jam shumë e lumtur që e arrita synimin me Dritën”, është shprehur Gardner (188 cm) që aktivizohet në rolin e bllokueses.
Pos titullit, Garnder ka shpresuar që të fitojë edhe Kupën e Kosovës. Mirëpo këtë trofe e fitoi skuadra e Skenderajt. Sipas Gardnerit, dështimi në kupë e motivoi ekipin për të triumfuar në kampionat.