Xhudistja Nora Gjakova ka shtuar edhe një medalje të artë në koleksionin e saj. Por më shumë se vendi i parë në Grand Prix të Tbilisit, vlerësohet fitorja e saj në finale të kësaj gare që nisi të premten në kryeqendrën e Gjeorgjisë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në finale të kategorisë deri 57 kilogramë, Nora kishte përballë kundërshtaren më të fortë të mundshme – kampionen olimpike në fuqi, brazilianen Rafaela Silva. Silva ka fituar të artën në kategorinë deri 57 kilogramë në “Rio 2016”, ndërsa po ashtu ka titull të botës nga viti 2013, medalje të argjendta botërore e shumë e shumë suksese të tjera. Por ndaj Norës, të premten, në luftën e fundit të ditës së parë të garave, Silva ishte plotësisht inferiore.
Nora ishte prej fillimit në ofensivë, në kërkim të fitores. Ka kërkuar vazhdimisht hedhjen dhe në të paktën tri raste ishte fare pranë saj. Por Silva, falë përvojës që ka, ka shmangur rëniet në momentet e fundit. Lufta ka shkuar në “Golden Score” dhe ka zgjatur afro shtatë minuta. Në fund, Nora Gjakova ka fituar me “Ippon”, falë tri dënimeve të brazilianes.
“Nora Gjakova merr fitore taktike ndaj kampiones olimpike Rafaela Silva. Medalje e artë për Kosovën”, ka shkruar sajti zyrtar i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.
Për Norën kjo është fitorja e parë në karrierë ndaj Silvas. Fitoren e ka arritur në përballjen e katërt. Silva e kishte mposhtur në çerekfinale të Botërorit të vitit 2013, në finale të Grand Prix të Tbilisit në vitin 2016 dhe në çerekfinale të Grand Prix të Zagrebit, vitin e kaluar. Për Norën është medalja e parë këtë vit, ndërsa ajo nuk e kishte pasur ditën në Grand Slamin e Parisit në shkurt, në garën e vetme tjetër ku është paraqitur më 2019.