Herolind Shala e ka nisur për mrekulli këtë edicion në elitën e futbollit norvegjez.
Mesfushori i Kosovës ka shkëlqyer në pesë takimet e para, teksa edhe Valerenga ka arritur rezultate realisht të mira, duke fituar dy takime, barazuar në dy tjera dhe ka pësuar një disfatë.
Shala ka qenë lider i padiskutueshëm i skuadrës kryeqytetase, pasi ka shënuar një gol, ka asistuar në dy të tjerë dhe ka fituar një penallti ndaj ODD Ballklub.
28-vjeçari nuk e kaloi një vit të mirë atë të 2019 ku u përballë me shumë lëndime, mirëpo tani duket se i ka harruar ato duke shkëlqyer në fushë.
Reprezentuesi kosovar synon që ta rikthejë skuadrën e tij në garat evropiane pas 10 viteve mungesë.
Ishte viti 2010 kur Valerenga mori për herë të fundit pjesë në Ligën e Evropës dhe që nga ajo kohë klubi nuk ka qenë në rrugën e duhur.
Pas pesë ndeshjeve në Eliteserien, Valerenga zë vendin e gjashtë në tabelë me tetë pikë, dhe është afër zonës së Ligës së Evropës.
Gjithsesi Shala është duke kaluar vitin e fundit si lojtar i Valerengas dhe sigurisht që deri në përfundim të kontratës dëshiron të lë gjurmë në klubin kryeqytetas norvegjez.