Te Kosova U-21 është graduar në kapiten, por në nivel skuadrash nuk po arrin të marrë “grada” të reja.
Bëhet fjalë për mbrojtësin e qendrës Besfort Kolgeci, që të hënën ka firmosur me një skuadër të re. 21-vjeçari ka firmosur për skuadrën gjermane SF Lotte.
Nuk bëhet fjalë për ndonjë skuadër të njohur. As ndonjë skuadër elitare. Bëhet fjalë për skuadër të kategorisë së katërt gjermane, në të cilin nivel Kolgeci ka luajtur së fundi, shkruan sot Koha Ditore.
Një përfaqësuese që për kapiten ka lojtar të kategorisë së katërt lë përshtypjen e parë se mposhtet lehtë nga të gjithë rivalët, sidomos ata të mëdhenj. Por ky nuk është rast me Kosovën. Kosova U-21 edhe në ciklin e kaluar, por edhe në ciklin e nisur para një muaji, në përbërje ka pasur lojtarë që nuk kanë prekur ende nivele të larta. Sukseset nuk kanë munguar për ekipin e drejtuar nga Rafet Prekazi.