Shkelzen Gashi, ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, i është përgjigjur presidentit Hashim Thaçi, i cili dje në një intervistë tha se Gashi e ka quajtur UÇK’në terroriste. Ish-këshilltari i Kurtit thotë se kjo nuk është e vërtetë.
Gashi kujton se Presidenti Thaci përmendet 26 herë në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty, i cili nga ngritur dyshime se gjatë luftës në Kosovë janë trafikuar organe. Gashi thotë se Thaci asnjëherë nuk e paditi Martyn, edhe pse kur kishte dalë raporti, në vitin 2011, ishte zotuar se do ta padiste senatorin zviceran.
Ish-këshilltari i Kurtit, përmend edhe Gjergj Dedajn, për të cilin thotë se Thaci e ka emëruar gjithmonë në pozita shtetërore, pas akuzave që Dedaj ia ka bërë Thacit se e ka torturuar gjatë luftës.
“Pra, Hashim Thaçi nuk e paditi Dick Marty-n, e themeloi Gjykatën Speciale, e emëroi, e dekoroi dhe e dekretoi Gjergj Dedajn. Me të gjitha këto, ai i pranoi akuzat se ka bërë shkelje të rregullave të së drejtës humanitare ndërkombëtare”, ka shkruar Gashi.
Shkrimi i plotë:
Hashim Thaçi, Dick Marty, Gjergj Dedaj dhe Gjykata Speciale
Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi, mbrëmë në emisionin Debat Plus të TV Dukagjinit deklaroi se «…këshilltari i Kryeministrit të Kosovës e ka quajtur UÇK-në terroriste dhe ushtarët e UÇK-së kriminelë». Nuk kam deklaruar asnjëherë se UÇK-ja ishte terroriste, e as se ushtarët e UÇK-së ishin kriminelë. Përkundrazi. E përsëris deklaratën time: «Pjesëtarë / individë nga radhët e UÇK-së, madje me pozita të larta, sipas raporteve të organizatave prestigjioze ndërkombëtare dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, kanë qenë të përfshirë në krime».
Natyrisht, lufta e UÇK-së ishte e drejtë, sepse ishte çlirimtare. A ka bërë UÇK-ja gabime? Sigurisht që ka bërë dhe për këto gabime duhet të diskutojmë. Ta zëmë, gabimi i saj i parë dhe kryesor ishte që ka pranuar ta ketë drejtor politik Hashim Thaçin.
Presidenti Thaçi në intervistën e mbrëmshme e përmendi Raportin e Dick Marty-t. Duhet thënë se në atë raport, Hashim Thaçi përmendet plot 26 herë. Pas publikimit të këtij raporti, z. Hashim Thaçi, atëherë Kryeministër i Kosovës, pati paralajmëruar se do ta padiste Dick Marty-n për shpifje. Kuptohet, lëre që nuk e paditi asnjëherë, por madje e themeloi Gjykatën Speciale mbi bazën e Raportit të Dick Marty-t.
Edhe diçka. Kryetari i Partisë Liberale të Kosovës, z. Gjergj Dedaj, e ka akuzuar publikisht Hashim Thaçin duke thënë se gjatë luftës në Kosovë e pati torturuar fizikisht atë dhe disa veprimtarë të LDK-së. Hashim Thaçi iu përgjigj këtyre akuzave duke e emëruar Gjergj Dedajn katër herë zëvendës-ministër: në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (2008); në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (2013); në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (2015) dhe së fundmi në Ministrinë e Punëve të Jashtme (2017). Më vonë, në vitin 2018, Presidenti Thaçi e dekoroi Dedajn me Medaljen Presidenciale në 10-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e më pas, po më 2018, e caktoi Ambasador të Jashtëzakonshëm Fuqiplotë në Shkup.
Pra, Hashim Thaçi nuk e paditi Dick Marty-n, e themeloi Gjykatën Speciale, e emëroi, e dekoroi dhe e dekretoi Gjergj Dedajn. Me të gjitha këto, ai i pranoi akuzat se ka bërë shkelje të rregullave të së drejtës humanitare ndërkombëtare.