Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka pritur në vizitë një delegacion nga Maqedonia e Veriut, i kryesuar nga kryetari i Odës Ekonomike Veriperëndimore, Mendi Qyra, së bashku me disa biznese nga ky vend, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast, kryetari i AKB-së, Agim Shahini tha se kanë pasur një bashkëpunim të madh me Odën Ekonomike Veriperëndimore në të kaluarën, por se “tradita” është ndalur viteve të kaluara. Ai shprehi gatishmërinë për ri-fillimin e këtij bashkëpunimi, i cili, siç tha ai, ka qenë i dobishëm për të dyja vendet.
“Kosova është në vendin e dytë më eksporte në Maqedoni, me mbi 118 milionë euro, kurse importet nga Maqedonia janë rreth 282 milionë euro, e që në total është mbi 400 milionë euro, që për këto dy shtete janë pak nëse krahasojmë me shtetet fqinje”.
Shahini, si rast të veçantë të këtij bashkëpunimi, ka përmendur organizimin e javës së biznesit për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, me moton “Unë konsumoj produkte vendore, po ju?”
“Bashkëpunimi me Odën Ekonomike Veriperëndimore është një prej bashkëpunimeve më të mëdha që kemi pasur. Së bashku me ta, në 100 vjetorin e Shqipërisë kemi organizuar javën e biznesit me moton ‘Unë konsumoj produkte vendore, po ju?’, ku kanë marrë pjesë presidentët e atëhershëm, ai i Maqedonisë dhe Shqipërisë.”
“Ne jemi të gatshëm ta vazhdojmë bashkëpunimin sepse tashmë do t’i hapim edhe zyrat e reja edhe në Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje dhe Kroaci. Tashmë i kemi dy zyra jashtë, në Austri edhe në Zvicër”.
Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike Veriperëndimore, Mendi Qyra, tha se Kosova dhe Maqedonia ndajnë pothuajse problemet e njëjta, siç është çështja e liberalizimit të vizave.
“Problemet i kemi thuajse të njëjta, si çështja e liberalizimit të vizave. Ne si kryetarë jemi këtu që t’i shtyjmë përpara dhe t’i rregullojmë të gjitha problemet”, u shpreh ai.
Në takim ishte edhe kryetari i Forumit Ekonomik Mbarë Shqiptar, Nagip Fejza, i cili tha se qëllimi i forumit është bashkimi i bizneseve dhe zgjidhja e problemeve.
“Qëllimi i forumit është bashkimi i bizneseve dhe zgjidhja e problemeve. Debatojmë shumë por asnjëri nuk e di pse nuk mund të transportojmë nga Maqedonia në Shqipëri”.
“Ne Shqiptarët jashtë Kosovës mbajmë gajlen e Kosovës, sepse jemi të detyruar ta mbajmë. Ajka e intelektualeve te Maqedonisë janë nga Kosova”, u shpreh ai.