“Do të ishte një mundësi më e lehtë të qëndroja në Nairobi, të bëhesha juriste, të bëja para të mira e të ngasja një Mercedes-Benz. Por unë doja të kthehesha në shtëpi”.
Kjo ishte jeta që Fatuma Abdulkadir Adan mund të kishte bërë në kryeqytetin e Kenias. Në vend të kësaj, ajo zgjodhi të përqendrohej në futboll, në një zonë të vendit ku ishte tabu për vajzat që të luanin këtë sport.
“Unë u godita me gurë dhe u shqelmova derisa më nxirrnin jashtë fushës” thotë Fatuma për përpjekjet e saj të hershme para dhjetë vjetësh, kur ajo themeloi një ekip vajzash në qarkun verior të Kenias, Marsabit.
Menjëherë pasi u kthyen nga turneu i tyre i parë, tetë nga 12 vajzat në ekipin e saj, u rrëmbyen dhe u detyruan të martoheshin. Ishte një fillim i vështirë për Fatuman, e cila nuk hoqi dorë në asnjë mënyrë.