Çajit nuk keni nevojë t’i shtoni sheqer për t’ia përmirësuar shijen

Prishtinë | 27 Dhj 2022 | 09:39 | Nga Ekonomia Online

Për disa, mendimi i pirjes së çajit pa sheqer është diçka e paimagjinueshme, sipas një studimi të ri, një lugë sheqer nuk është e nevojshme për ta shijuar një gotë çaj.

Të paktën ky ka qenë rezultati i një analize njëmujore nga hulumtuesit londinezë, të cilët ua kanë ekzaminuar shprehitë e pirjes së çajit 64 meshkujve, të cilët zakonisht e kanë pirë çajin me sheqer.

Pjesëmarrësve u ishte kërkuar që ose të ndalonin së shtuari sheqer në çaj, ose ta reduktojnë gradualisht sasinë e sheqerit që e shtojnë, ose të vazhdojnë të pinë çaj me sheqer.

Pas katër jave, hulumtuesit kishin zbuluar se ata të cilët kishin ndaluar së shtuari sheqer ose e kishin zvogëluar sasinë e sheqerit, prapëseprapë e kishin shijuar në maksimum çajin.

Me përfundimin e eksperimentit, 42% e meshkujve që kishin qenë në grupin e atyre që gradualisht e kishin zvogëluar sasinë e sheqerit, kishin ndaluar krejtësisht t’i shtojnë çajit sheqer.

Autorët e studimit kanë konstatuar se konsumimi i tepërt i sheqerit është problem i shëndetit publik dhe sheqeri në pijet e zakonshme kontribuon jashtëzakonisht shumë në rritjen e sasisë së sheqerit që e konsumojmë.

Përndryshe, britanikët i konsumojnë rreth 700g sheqer në javë, sasi e cila është e barabartë me 140 lugë çaji për person. Kjo sasi e tejkalon shumë sasinë e lejuar ditore, e cila i bie rreth 210g në javë apo 30g në ditë.

Të ngjashme