Të gjithë mund ta imagjinojmë që pjesa më e fundit e oqeanit është e qetë dhe pa shumë zhurmë, më së shumti për shkak të thellësisë dhe mungesës së gjallesave të mëdha.
Kështu kishin supozuar edhe një grup shkencëtarësh detarë, të cilët vendosën që ta hulumtojnë këtë gjë, duke përdorur pajisjet e fundit të teknologjisë.
Shkencëtarët nga Universiteti i Oregonit në SHBA kanë lëshuar poshtë në ujë një mikfrofon special, i dizajnuar për të kapur edhe më të voglën zhurmë që ndodh në një hapësirë të gjerë dhe të lartë.
Mikrofoni me një pajisje të madhe u lëshua 11 kilometra nën nivelin e detit, në pjesët më të thella të oqeanit ku dominon një botë krejt tjetër.
“Të gjithë do të mendonim që pjesët më të thella të oqeanit janë edhe vendet më të qeta në Tokë”, tha Robert Dziak nga agjencia oqeanike NOAA, teksa tregonte për mikrofonin ujor apo hidrofonin që u lëshua poshtë në ujë.
Por nuk ishte ashtu. Hidrofoni për befasinë e të gjithëve kapi zhurma shumë interesante dhe befasuese, duke filluar nga tërmetet, zhurma e anijeve që po kalonin mbi ujë si dhe tingujt që lëshojnë gjallesat e mëdha, kryesisht balenat.