Nuk ka regjim ushqimi në botë që mund të të bëje imun ndaj virusit Corona, megjithatë një dietë e shëndetshme e cila do të ndihmonte në sistemin imunitar është e preferuar, kështu për Portalb.mk tha shkencëtarja dhe profesoresha e Universitetit Oksford Detina Zhalli e cila aktualisht po punon me një grup shkencëtarësh nga Universiteti i Harvardit dhe MIT për këtë, ajo shtoi se aktualisht shkencëtarët po testojnë 69 ilaçe kundër këtij virusi.
Fillimisht, profesoresha e Universitetit të Oxford na shpjegoi definicionin shkencor të sëmundjes Covid-19, ajo përmendi shumë viruse tjera të të njëjtit grup por që sipas saj, ndryshojnë dukshëm në virulence dhe përfshijnë ftohjen e zakonshme.
“Covid 19 është pjesë e një virusi të cilët bëjnë pjesë në familjen korona. Këto viruse janë të mbështjellura me proteinë të jashtme dhe të ngjashme me kurorën prandaj edhe quhen korona virus. Janë pikërisht këto korona që e mbrojnë virusin në një far mënyre dhe bëjnë që virusi të qëndroje i prekur në pikat mukozale në ajër dhe në sipërfaqe për disa ditë. Kjo është arsyeja pse janë të rrezikshëm. Megjithatë, ka shumë viruse të tilla, por që ndryshojnë dukshëm në virulence dhe përfshijnë ftohjen e zakonshme, gripin, poliomielitin, fruthi, hepatitin C dhe E, virusin Ebola e kështu me radhë” shpjegoi shkencëtarja Detina Zalli.
Përveç shkencëtarëve dhe mjekëve, në luftën kundër këtij virusi mund të kyçen edhe njerëzit e rëndom edhe atë shumë fuqishëm. Këtë më së miri e shpjegon vetë shkencëtarja, sipas së cilës një pjesë më e madhe e përgjegjësisë është realisht në dorët tona.
“Në kushte shtëpiake mund gjithsesi të kyçemi në luftën kundër këtij virusi, është e rëndësishme të mbahet higjienë, të izolohemi e në qoftë se shfaqim simptome të testohemi, celulari dhe gjërat tjera duhet të fshihen me 70% alkool. Sa i përket mbrojtjes imunitare, nuk ka dietë në botë që mund 100% të të mbrojë nga ky virus, megjithatë preferohet një dietë e shëndetshme e cila do të ndihmonte sistemin imunitar, e pasuruar me perime dhe fruta si portokall, limonë, brokoli, lule lakër dhe sallata, të konsumojmë sa më shumë supa dhe proteina si mish pule” theksoi Detina Zalli, duke përsëritur se nuk ka ushqim që të bën imun ndaj këtij virusi.
Ajo shpjegoi edhe arsyet shkencore për atë se pse ky virus është më i rrezikshëm në krahasim me viruset tjera, Detina për konfirmoi që aktualisht po testohen 69 ilaçe kundër këtij virusi, kështu duke përmendur disa nga ata.
“Virusi Covid 19 është më i rrezikshëm se viruset tjerë për shkak se simptomat shfaqen shumë më vonë sesa SARS, që do të thotë se njerëzit shpesh ua ka kalojnë të tjerëve virusin duke mos e ditur që ata vetë janë të infektuar. Gjithashtu, me këtë virus aktivizohet shumë lehtë nga enzima furin që gjendet në shumë indet tona. Aktualisht shkencëtarët po testojnë 69 ilaçe kundër këtij virusi, edhe atë Chloroquine i cili zakonisht përdore për të trajtuar sëmundjen e malarias, Haloperidol i cili përdoret për trajtimin e skizofrenisë, Metformin që përdoret për njerëzit me diabet të tipit 2, e kështu me radhë” theksoi Detina Zalli.
Në lidhje me kohëzgjatjen e prodhimit të vaksinës, Detina tha që kjo ndodh jo për shkak se ata si shkencëtarë nuk dëshirojnë të përshpejtojnë këtë proces, por sepse përvoja tregon se në qoftë se vaksina nuk verifikohet mire, mund të bëje më shumë dëm se sa mirë.
“Vaksina e parë nga kompania Moderna në Boston, ka filluar fazën e pare të provave klinike, edhe sikur të dale shumë e suksesshme, për të u prodhuar dhe të jetë e disponueshme për njerëzit duhet kohë, mendohet rreth 14-18 muaj, jo sepse nuk duam ta përshpejtojmë procesin por sepse eksperienca tregon që në qoftë se vaksina nuk është verifikuar mire, mund të bëje më shumë dëm se sa mirë. Vaksina duhet të jetë e vlefshme për të gjithë moshat, personat me sëmundje kronike e kështu me radhë. Nga ana tjetër, në qoftë se nxitojmë, vaksina mund të mos jetë efikase dhe mund të krijoje dëm të madh në botë” shtoi Detina Zalli.
Për rrezikshmërinë e rikthimit të këtij virusi, shkencëtarja nuk është se e përjashtoi këtë mundësi mirëpo ajo shtoi se i njëjti nuk do të kthehet te pacientët të cilët një herë e kanë kaluar virusin. Sipas Detinës, ky virus çdo ditë po na mëson se jo të gjitha gjërat janë të kontrollueshme dhe se ndonjëherë përgjegjësia është më e rëndësishme se sa vet liria.
“Bazuar në faktet shkencore mund të them me bindje që ky virus nuk do të kthehet përsëri te personat të cilët një herë e kanë kaluar të njëjtin, duke pasur parasysh që trupi i njeriut krijon antitrupa kundër virusit e në këtë rast kundër Sar Cov2 që shkakton Covid 19 dhe që teoritikisht duhet të eliminoje menjëherë virusin në qoftë se e takon për here të dytë. Njerëzit pas kësaj pandemie do të kuptojnë që jot ë gjitha gjërat janë të kontrollueshme, do vlerësojnë që përgjegjësia e në këtë rast është qëndrimi në shtëpi, ndonjëhere vlen më shumë se sa vetë liria e të dalit jashtë” tha Detina Zalli
Shkencëtarja shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) tha që njerëzit duhet të qëndrojnë sa ma pozitiv sepse sipas saj, shumë shpejt do të dilet nga kjo situatë dhe që drita në fund të tunelit do të jetë më e dukshme se kurrë.
Ndryshe, Detina Zalli aktualisht është duke punuar me një grup shkencëtarësh në Universitetet dhe laboratorët më të mira në botë si MIT dhe Harvard, ata aktualisht po bëjnë kërkime të detajuara bazuar në gjetjet e fundit laboratorike në mënyrë që të edukojnë shkencëtarët tjerë. Ajo është një nga trajnueset e shkencëtarëve më të mirë në botë të cilët merren me zhvillimin e vaksinave apo zhvillimin e testeve të shpejta diagnostifikuese duke ju dhënë rekomandime të sakta mbështetur nga fakte dhe burime të shëndosha shkencore.