Shkolla dhe familja, shtylla kryesore për mbrojtje nga ekstremizmi në internet

Prishtinë | 07 Qer 2018 | 12:20 | Nga Mehmet Krasniqi

Projekti i financuar nga BE-ja “Mbështetje e mëtutjeshme e institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), kanë mbajtur konferencën rajonale me temën “Parandalimi i radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm në rrjetet sociale në Ballkanin Perëndimor”.

Zoran Popov, Këshilli Rajonal për Bashkëpunim – Sarajevë, tha se fenomeni i radikalizimit online është mjaft i lartë në rajon dhe në këtë proces ekstremizmi dhe propaganda online është diçka e madhe.

Popov shtoi se kanë bërë një studim i cili merret me infrastrukturën kritike në Ballkanin Perëndimor sa i përket sigurisë kompjuterike dhe radikalizmit online, raporton Ekonomia Online.

“Janë paraparë disa masa të cilat janë mbështetje ndaj shoqërisë civile dhe për të zgjeruar vëllimin e kundërnarrativëve apo agjendave të kundërnarrativëve pozitiv në krijimin e mekanizmave kombëtar efikas në identifikimin dhe largimin e përmbajtjeve të tilla të papranueshme. Siç thonë kritikët kompanitë e teknologjisë nuk kanë arritur t’i largojnë në mënyrë efikase përmbajtjet ekstremiste dhe terroriste nga ueb-sajtet”.

Mimoza Hasani Pllana, nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, tha se ofrimi i informatave për përdorimin e internetit në mënyrë të dobishme dhe mbrojtja e fëmijëve nga rreziqet në internet është përgjegjësi e institucioneve.

Ajo gjatë një prezantimi për mbrojtjen e fëmijëve, tha se Arsimimi, shkolla dhe familjet është shtylla kyçe që qon në ndërtimin e një kulture të shëndoshë për përdorimin e internetit në mënyrën e duhur, raporton EO.

“Duhet të mobilizohet edhe e gjithë shoqëria, duke përfshirë edhe familjen si dhe institucionet për të bërë edukimin e drejtë të fëmijëve online.  Për të arritur këtë qëllim MAShT ka ndërmarrë disa veprime institucionale”.

“Ka krijuar infrastrukturë ligjore për sanksionimin e dhunës digjitale sikur çdo formë tjetër të dhunës. Së fundmi kemi hartuar udhëzimin administrativ për mbrojtjen e fëmijëve në internet. Ky aktivitet parashihet edhe me planin e veprimit të strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm që shpie në radikalizëm 2015/2020, mirëpo ky dokument ende është draft dhe pritet të nënshkruhet nga ministri gjatë ditëve në vazhdim”.

Vesë Kelmendi, Hulumtuese në QKSS tha se kanë bërë mbledhjen e të dhënave dhe kanë krijuar data-bazën, duke identifikuar profilet e personave të radikalizuar që kanë qenë në zonat e konfliktit.

Të ngjashme