Kosova, shteti më i ri i Evropës, deklaron me krenari popullsinë e re të saj, prej rreth 70% që janë nën moshën 35-vjeçare, por shumë pak bëhet për fuqizimin dhe zhvillimin e tyre në jetën personale dhe profesionale. Në këtë mes nuk përjashtohet as Prizreni edhe pse qyteti historik ka shumë potencial.
Të sfiduar nga ky realitet, një ekip prej gjashtë të rinjve që janë nga Kosova dhe Diaspora vendosën ta marrin si përgjegjësi që të bëjnë diçka për bashkëmoshatarët e tyre, një gjë që do t’i lejonte ata të bashkëpunonin, të rriteshin dhe të fuqizonin njëri-tjetrin.
Puna e palodhshme, diskutimet e gjata, shkëmbimi i ideve dhe më e rëndësishmja fryma pozitive, karakterizoi ekipin, i cili u formua në Shkollën e Diasporës në Kosovë, implementuar nga Germin, dhe përkrahur nga progami Youth, Employement and Skills – GIZ, ku ata takuan për herë të parë njëri-tjetrin.
Për të rinjët, Sara Brari, Samra Radoncic, Fitim Veliu, Dardan Isufi, Klaudjo Kavaja, dhe Lekë Lleshi, çështjet më të rëndësishme ishin ato të rinisë, duke përfshirë këtu qasjen e tyre në burime për të zhvilluar projekte, për të zhvilluar kreativitetin e tyre, për të takuar njerëz të rinj, për të ndarë idetë dhe për të rritur së bashku në nivelin personal dhe profesional. Entuziazmi i tyre i çoi në rrugët e Prizrenit, ku shkuan për të takuar të rinjtë e këtij qyteti për të kuptuar më mirë nevojat e tyre.
Maratona e intervistave dhe takimeve me kolegët e tyre, i solli ata në përfundimin se rinia e Prizrenit ka një potencial të madh, talent dhe kreativitet, por ata nuk kanë hapësirë, të cilën do ta kishin në shërbim shumë të rinj që vijnë nga të gjitha shtigjet e jetës.
“Një hapësirë shumë funksionale e punës”, ishte ideja në të cilën zemrat dhe mendjet e skuadrës mbështeteshin, pasi ajo shihej si një zgjidhje për shumë nga shqetësimet e tyre. Edhe lokacioni u identifikua, duke u zgjedhur kinemaja historike e qytetit “Lumbardhi”, si vendi më i mirë ku kjo hapësirë mund të vihet në funksion, sidomos duke marrë parasysh faktin se kjo kinema është një vend i rëndësishëm kulturor në qendër të Prizrenit.
Duke siguruar tashmë një partner të tillë si Fondacioni Lumbardhi, hapësira e punës shumëfunksionale po finalizohet, pasi ka fituar vendin parë dhe grantin me vlerë 6000 euro.
Me përfundimin e këtij projekti, të rinjtë e Prizrenit do të kenë një hapësirë me pajisje moderne, ku do të mund të zhvillojnë aktivitetet e tyre, shfrytëzimi i së cilës do të jetë pa pagesë.