Shkolla “Emin Duraku”, shembull suksesi në zbatimin e reformës së mësimit

Prishtinë | 10 Maj 2025 | 09:30 | Nga Diellza Gashi

Shkolla fillore “Emin Duraku” në Prishtinë është ndër institucionet e para që ka zbatuar me sukses reformën e mësimit me turn unik për ciklin nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, si pjesë e pilot-projektit të Komunës së Prishtinës.

Drejtori i kësaj shkolle, Visar Osmani, në një intervistë për Ekonomia Online, thekson se ndonëse fillimi ka qenë sfidues për nxënësit dhe personelin mësimdhënës, rezultatet tashmë janë të dukshme dhe pozitive.

“Ka qenë proces i mirëorganizuar. Shkolla jonë ka qenë ndër të parat që i ka hyrë reformave që kanë ndodhur vitin e kaluar në Komunën  e Prishtinës. Në pesë shkolla që është obliguar mësimi tërëditor, shkolla jonë ka qenë prej të parave që aplikoi ciklin nga klasa e gjashtë deri n ë të nëntën. Mund të them që ka qenë mirë. Fillimi, kuptohet, ka pasur sfida për nxënësit, por edhe për stafit. Por ne kemi arritur vetëm sukses dhe lajme të mira”, tha ai.

Osmani shpreson që ky model të shtrihet edhe në shkollat tjera. Ai vlerëson rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe organizimin e aktiviteteve si përfitime kyçe të kësaj reforme.

“Fillimi pak i vështirë, sepse dallon shkolla prej shkollës dhe rregullat e saj. Jemi munduar të ofrojmë kushte të mira për mësimdhënësit e rinj, që kanë ardhur. Sot është gjithçka mirë dhe po e presim një përfundim të këtij viti me rezultate të mira në çdo fushë. Pak ka qenë shqetësimi i prindërve, sepse në fillim kanë qenë jo edhe shumë të informuar se si do të rrjedhë procesi, por problemet janë mënjanuar më herët sesa që e kemi menduar. Kemi thënë se viti i parë do të jetë sfidues derisa të adaptohemi, por kaloi me sukses”, tha ai.

Drejtori i shkollës “Emin Duraku” vlerëson se reforma ka sjellë rritje të cilësisë së mësimdhënies dhe organizimit të aktiviteteve, duke e vlerësuar këtë si një përfitim të madh për shkollën.

“I gjithë përkushtimi i stafit tani është i fokusuar në nivelin e rritjes së cilësisë, zhvillimit të procesit, aktiviteteve”, tha Osmani.

Të ngjashme