Që në hyrje të oborrit të shkollës “Mitrush Kuteli”, e cila gjendet në fillim të lagjes së Matiqanit, në Prishtinë, bie në sy një rregull i veçantë. Oaza lulesh, pisha e bimë të tjera zbukurojnë ambientin përreth shkollës.
Ato nuk janë mbjellë nga ndonjë kompani lulesh, por nga vetë drejtori, Besim Korça, dhe nxënësit e shkollës, të cilët kanë siguruar fondet për blerjen e tyre nga projektet e fituara me dijen e marrë në shkollë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ata kanë fituar nëntë herë projekte në garat që janë mbajtur në nivel të Kosovës, dhe me paratë e projekteve shkolla ka blerë pajisje për laborator, ka ndërtuar parkun në oborrin e shkollës, si dhe ka blerë pajisje për klasat e punëdorës dhe për punëtoritë që tashmë i ka shkolla.
Shkolla ka laboratorin e biologjisë, të kuzhinës, të punëdorës, të teknologjisë informative, si dhe atë të kimi-fizikës. Korridoret e shkollës janë të mbushura me eksponatet që kanë punuar nxënësit, më shumë nga të cilat ata edhe i kanë fituar garat në nivel kombëtar, nga projektet e financuara nga Ministria e Arsimit.
Kujdesi për librin, kujdes ndaj shtetit
Por, ajo që e bën të veçantë këtë shkollë në kryeqytet, madje edhe në Kosovë, është kujdesi për kursimin e buxhetit të shtetit.
Që nga 2008-a, kur Ministria ka filluar të sigurojë librat falas për nxënësit e klasave 1-9, nxënësit dhe mësimdhënësit ruajnë librat shkollorë, duke i përcjellë ata gjeneratë pas gjenerate…