Shkollat e Ferizajt furnizohen me materiale higjienike, së shpejti kryhet dezinfektimi

Prishtinë | 12 Mar 2020 | 17:18 | Nga Ekonomia Online

Shkollat e Ferizajt, gjatë ditës së sotme, pranuan kontigjentin e pajisjeve dhe materialeve higjienike të cilat do të shërbejnë për të mirëmbajtur e dezinfektuar hapësirat e punës dhe ambientet tjera në të gjitha shkollat e Ferizajt. Kjo masë, është njëra nga të shumta masa që po ndërmerren nga niveli lokal për të parandaluar përhapjen e virusit Covid-19 i njohur si CoronaVirus-i.

Ditëve në vijim, drejtori i Arsimit, Afrim Llabjani ka urdhëruar të kryehet dezinfektimi i plotë i hapësirave shkollore, të përpilohet raporti i gjendjes në të gjitha godinat shkollore sa i përket niveli higjienik e si të tilla të intervenohet për mirëmbajtjen e tyre.

Kjo periudhë e “pushimit” të nxënësve, përkatësisht ndërprerjes së mësimit në gjithë vendin, Ferizaj po e shfrytëzon që gjatë këtyre ditëve të aplikoj gjithë masat e nevojshme për pastrimin e thellë të ambienteve shkollore.

Të ngjashme