Përkundër situatës së krijuar me pandeminë, komunat e Kosovës janë të gatshme të nisin mësimin në shkolla që nga 14 shtatori.
Kështu për Ekonomia Online ka thënë drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi. Ibrahimi shpreson qe të gjitha shkollat në nivel lokal të licencohen si shkolla anti-Covid.
“Në takimet që i kemi pasur me drejtorët komunal të arsimit, po edhe me ministrinë e Arsimit deri më tani është vendosur data 14 shtator për fillimin e vitit të ri shkollor. Shpresojmë që gjithçka do të jetë në rregull për një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor, komunat janë gati ashtu kanë qenë edhe me 1 shtator, por po shpresojmë që të gjitha shkollat në nivel lokal do të certifikohen apo do të licencohen si shkolla anti-Covid, mirëpo drejtorët komunal dhe kryetarët e komunave janë zotuar se do të bëjnë të pamundurën që të kemi një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor”.
“..nëse një shkollë në një komunë të caktuar nuk i plotëson kriteret që të shpallet si shkollë anti-Covid, atëherë mos ta bllokojë procesin mësimor në atë komunë dhe pastaj me kalimin e kohës do të vlerësohet edhe situata në terren dhe gjitha komunat i kanë formuar task-forcat në nivel të çdo shkolle dhe në nivel komunal kanë një bashkëpunim me nivelin qendror”, ka thënë ai për EO.
Mes tjerash ai ka kërkuar edhe përkrahjen e prindërve që t’i vetëdijesojnë fëmijët në respektimin e masave të parapara.
“Besojë që përkrahja e prindërve do të jetë në atë nivel që numri i të infektuarve të rri ashtu siç është apo t ë ketë një rënie graduale dhe t’i vetëdijesojmë të punojnë me fëmijët e tyre që ti respektojnë masat që janë të parapara”.
Ai ka thënë se është formuar një komision për vlerësimin e shkollave se a janë të gatshme për fillimin e vitit të ri shkollor.
Ndërsa për shkollat që nuk plotësojnë kriteret apo që nuk certifikohen ai ka thënë të aplikohet mësimi i kombinuar ose ai online, raporton EO.
“Është formuar një komision për vlerësimin e shkollave se janë apo nuk janë të gatshme për fillim të vitit të ri shkollor. Ky komision ka filluar punën ditë më parë. Përgatitjet janë bërë në nivel lokal dhe shpresojmë që të gjitha shkollat do t’i plotësojnë këto kritere, mirëpo nëse një shkollë nuk i plotëson këto kritere dhe nuk certifikohet atëherë është metoda e tretë apo e dytë mësimi i kombinuar në shkollë dhe online apo modaliteti i tretë i cili është vetëm online”.
“Është shumë me rëndësi që të kemi një fillim me 14 shtator, sepse koha është e butë dhe e mirë sepse është shumë me rëndësi që në kohë pandemie të kemi ajrosje të klasave ku frekuentojnë nxënësit dhe nëse procesi mësimor shtyhet edhe më tutje atëherë do të hymë në një sezon ku nuk do ta kemi komoditetin që ta kryejmë ajrosjen ashtu siç mundemi gjatë kësaj kohe”.
I pari i komunave ka folur edhe për testimin e mësimdhënësve. Ai shton se do të testohen një mijë deri në 1 500 mësimdhënës.
Ndërsa 1 000 mësimdhënës do të jenë si zëvendësim për të gjithë ata që kanë probleme shëndetësore apo që mund të jenë të infektuar me Coronavirus.
“Do të testohen prej 1 000 deri në 1 500 mësimdhënës, mostra është e shtrirë jo në të gjitha komunat e Kosovës, në 15 komuna mirëpo është ndarë ashtu që dy apo tri komuna të përkasin një rajoni dhe në disa rajon vetëm se ka filluar testimi i mësimdhënësve dhe shpresojmë që gjatë ditëve në vijim të kryhet testimi dhe të kemi një rezultat apo përqindje se sa është përqindja e të infektuarve nga ana e mësimdhënësve”.
“…mirëpo në anën tjetër janë bërë të gjitha përgatitjet se në qoftë se ka mësimdhënës që nuk munden për shkak të moshës apo të infektuar, i kemi 1 000 mësimdhënës rezervë të cilët do të angazhohen në këto raste. Edhe nëse në të ardhmen gjatë procesit mësimor ndodh që një mësimdhënës të infektohet atëherë të kemi zëvendësimin adekuat menjëherë në mënyrë që të mos kemi shtyrje të procesit mësimor”.