Instituti “Robert Koch” për kontrollimin e sëmundjeve njoftoi të dielën se numri i personave të infektuar nga coronavirusi në Gjermani ka shkuar nga 66 në 117.
Një komision qeveritar gjerman i ka zgjeruar udhëzimet për kalimin e kufirit dhe i ka anuluar disa ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare. Ministri gjerman i shëndetësisë, Jens Spahn, i ka këshilluar njerëzit me simptoma të ftohjes që të qëndrojnë larg tubimeve publike.
Më shumë se gjysma e këtyre rasteve janë regjistruar në rajonin Rhine-Westphalia, i cili e ka popullsinë më të madhe në Gjermani. Shumë shkolla dhe çerdhe do të jenë të mbyllyra të hënën në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e virusit pasi disa anëtarë të stafit u konfirmuan si të infektuar.
Ministri i brendshëm, Horst Seehofer, tha për gazetën e njohur gjermane, Bild am Sonntag, se pret që një vaksinë kundër koronavirusit të jetë e gatshme deri në fund të këtij viti, shkruan “Reuters”.
I pyetur nëse Gjermania është e gatshme që të izolojë qytete dhe rajone të caktuara për ta vënë epideminë nën kontroll, ai tha: “Kjo do të ishte mundësia e fundit.” Ai nuk saktësoi se çfarë duhet të ndodhë në Gjermani që shteti ta marrë këtë masë të rreptë.
Ministri i financave, Olaf Scholz, tha të dielën se Gjermania do të duhej të ofrojë pako nxitëse ekonomike, nëse përhapja e koronavirusit shkakton krizë botërore në sektorin e ekonomisë.