Numri i të viktimave nga përmbytjet në Kentakin lindor në SHBA është rritur në 37, pasi shiu i dendur vazhdon të pengojë operacionet e shpëtimit dhe të kërcënojë dëme të mëtejshme, ndërsa ka ende shumë të zhdukur.
Andy Beshear, guvernator i shtetit jug-qendror të Shteteve të Bashkuara, njoftoi në Twitter se numri i viktimave mund të rritet.
“Ne e mbyllim ditën me më shumë lajme tronditëse nga Kentaki lindor. Mund të konfirmojmë se numri i të vdekurve tani është rritur në 37, me shumë të tjerë ende të zhdukur,” shkroi ai në Twitter.
Një seri stuhish të reja priten për natën amerikane. Shërbimi Kombëtar i Motit ka lëshuar një paralajmërim për përmbytjet në pjesën më të madhe të Kentakit lindor, duke paralajmëruar një seri stuhish të tjera.
“Janë të mundshme reshje të dendura të cilat mund të çojnë në përmbytje të shpejta së bashku me stuhi të forta”, shkroi agjencia meteorologjike në Twitter.
Mbi 20 centimetra shi ranë mbi disa pjesë të Kentakit lindor javën e kaluar në 24 orë, duke shkaktuar përmbytje të paprecedentë.
Më shumë se 12,000 familje kanë mbetur pa energji elektrike dhe qindra shtëpi dhe biznese janë përmbytur.
Dëmtimi i rrugëve, urave dhe infrastrukturës tjetër do të kushtojë miliona për t’u riparuar, tha guvernatori të hënën.
Kjo është nga përmbytjet më të këqija që ka parë rajoni në dekada.