Shkon në mbi 400 numri i të vrarëve në Gaza, Izraeli thotë se po i vazhdon sulmet ndaj “caqeve të terrorit”

Prishtinë | 18 Mar 2025 | 13:48 | Nga Ekonomia Online

Autoritetet shëndetësore palestineze thanë të martën se numri i të vrarëve nga sulmet ajrore izraelite në Gaza ka shkuar në më shumë se 400, duke rrezikuar që të shkaktohet shembje e plotë e një armëpushimi dymujor, ndërsa Izraeli është zotuar për të përdorur më shumë forcë për ta siguruar lirimin e pengjeve që ende po mbahen nga Hamasi.

Grupi militant palestinez, i cili ende është duke mbajtur 59 nga rreth 250 pengjet që i kishte kapur gjatë sulmit të tetorit të vitit 2023 ndaj Izraelit, e akuzoi këtë shtet për shkeljen e armëpushimit dhe rrezikimin e përpjekjeve të ndërmjetësve për të siguruar ndërprerje të përhershme të luftimeve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se i kishte thënë ushtrisë që të ndërmerrte “veprim të fortë” kundër Hamasit si kundërpërgjigje ndaj refuzimit të grupit për t’i liruar pengjet e mbetura dhe për shkak të refuzimit të propozimeve për armëpushim.

Ushtria izraelite i përshkroi sulmet si “ofensivë parandaluese” me qëllim të zhbërjes së aftësisë së Hamasit për të nisur sulme kundër Izraelit si dhe për t’u rimëkëmbur e riarmatosur. Ushtria tha se shënjestroi “komandantë ushtarakë me rangje të mesme, zyrtarë të udhëheqësisë dhe infrastrukturë terroriste” që i përket Hamasit.

Në një deklaratë të përbashkët të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit dhe Agjencisë së Sigurisë të Izraelit (Shin Bet), thuhet se forcat po vazhdojnë t’i sulmojnë “caqet terroriste” në mbarë Rripin e Gazës.

Në deklaratë më tej thuhet se në orët e fundit, forcat kanë goditur “celula terroriste, pika për nisjen e sulmeve, rezerva armësh dhe infrastrukturë ushtarake shtesë”, që shfrytëzohej për “planifikimin dhe ekzekutimin e sulmeve kundër civilëve dhe ushtarëve izraelitë”.

“Në këtë kohë, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit dhe Agjencia e Sigurisë e Izraelit janë duke sulmuar caqe terrori në mbarë Rripin e Gazës” – thuhet në deklaratë.

Të ngjashme