Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, numri i të vdekurve nga Coronavirusi në Shtetet e Bashkuara ka shkuar në mbi 4 mijë persona.
Për më tepër, gati 190 mijë njerëz janë infektuar me virusin e ri, duke i bërë Shtetet e Bashkuara vendin e parë në botë sa i përket kësaj shifre, shkruan “Anadolu”, transmeton Gazeta Express.
Shifrat e reja erdhën pasi presidenti Donald Trump paralajmëroi se dy javët e ardhshme do të jenë shumë të dhembshme në kuptimin e shifrës së viktimave.
Duke folur në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi u bëri thirrje amerikanëve që të përgatitetn për ditë të vështirë, vetëm dy ditë pasi kishte thënë se shifra prej 100 deri në 200 mijë vdekjeve nga virusi do të ishte “punë e mirë”.
“Dëshiron që çdo amerikan të jetë i përgatitur për ditët e vështira që na presin. Ne do të kalojmë nëpër dy javë shumë të vështira”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Ndryshe, 860 mijë njerëz janë infektuar dhe mbi 42 mijë kanë vdekur në mbarë botën nga koronavirusi dhe shifrat po rriten vazhdimisht.