Numri i personave të vdekur nga Coronavirusi në mbarë botën e ka kaluar shifrën katër mijë të martën. Në Kinë – vendi më i goditur nga virusi Covid 19 – u raportuan 17 vdekje të reja.
Virusi tashmë është përhapur në më shumë se 100 shtete, ndërsa janë infektuar mbi 110 mijë njerëz.
Përpos viktimave në njerëz, koronavirusi ka shkaktuar pengesa të mëdha në udhëtime, shkollim dhe punë. Janë anuluar shumë aktivitete sportive dhe janë goditur tregjet financiare të aksioneve.
Cilat janë të rejat e fundit rreth koronavirusit?
Në Itali ka hyrë në fuqi vendimi për karantinë në tërë territorin e shtetit. Udhëtimet janë të ndaluara, përpos rasteve urgjente. Qendrat e skijimit janë mbyllur dhe janë anuluar të gjitha ngjarjet sportive. Shkollat dhe universitetet do të jenë të mbyllura të paktën deri më 3 prill.
Është konfirmuar viktima e parë e Koronavirusit në Kanada. Mosha e personit të vdekur nuk është publikuar, por viktima ishte një burrë që jetonte në një shtëpi të pleqve në veri të qytetit Vancouver.
Kompania ajrore “Norwegian Air” i ka ndërprerë të gjitha fluturimet drejt Italisë për shkak të virusit. Nuk dihet se kur do të rifillojnë këto fluturime.
Në Pakistan janë regjistruar nëntë raste të reja, duke e çuar në 16 numrin e përgjithshëm të personave të infektuar.
Mongolia e ka raportuar rastin e parë të personit të infektuar. Ai është një burrë francez, i cili kishte ardhur nga Rusia.
Në Australi, numri i personave të infektuar ka shkuar në 100. Sidoqoftë, zyrtarët kanë thënë se shumica e pacientëve janë në gjendje të mirë.