Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, mbi 723 mijë njerëz në mbarë botën tashmë janë infektuar me Coronavirus, ndërsa mbi 34 mijë kanë vdekur.
Virusi është përhapur në 177 shtete dhe territore të ndryshme, ndërsa mbi 150 mijë njerëz janë shëruar dhe janë liruar nga spitalet.
Italia, Spanja, Kina dhe Irani vazhdojnë të jenë shtetet me numrin më të lartë të viktimave, por Shtetet e Bashkuara ndodhen në vendin e parë sa i përket shifrës së të infektuarve me mbi 132 mijë persona.
Italia i ka regjistruar rreth 10 mijë e 780 viktima dhe gati 98 mijë të infektuar. Në Spanjë kanë vdekur mbi 6 mijë e 600 persona dhe janë infektuar më shumë se 78 mijë, ndërsa Kina është në vendin e tretë me rreth 3 mijë e 300 viktima e mbi 82 mijë të infektuar.
Në Iran, numri i të vdekurve ka shkuar në 2640, kurse numri i personave të infektuar në 38 mijë e 300, shkruan “Anadolu”, transmeton Gazeta Express.
Shumë shtete kanë marrë masa të rrepta kundër përhapjes së virusit, përfshirë mbylljen e kufijve, ndërprerjen e fluturimeve ndërkombëtare dhe kufizimin e lirisë së lëvizjes së qytetarëve përmes shpalles së gjendjes së jashtëzakonshme.