Shkopi i bardhë si simbol i pavarësisë, institucionet dhe personat e verbër kërkojnë shoqëri më gjithëpërfshirëse

Prishtinë | 15 Tet 2026 | 11:53 | Nga Drita Dërmaku

Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit (ZKM), në bashkëpunim me Shoqatën e të Verbërve të Kosovës, ka organizuar konferencën me rastin e shënimit të Javës Ndërkombëtare të Njeriut me Shkop të Bardhë, me moton “Shkopi i bardhë – simbol i pavarësisë, për një shoqëri gjithëpërfshirëse”. Në konferencë u diskutua për rëndësinë e pavarësisë së personave të verbër, qasjen në informacion dhe shërbime, përfshirjen në arsim e punësim, si dhe përgjegjësinë e institucioneve për krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë qytetarët, raporton Ekonomia Online.

Kryesuesi i konferencës, Habit Hajredini, nga Zyra për Qeverisje të Mirë, tha se shkopi i bardhë përfaqëson më shumë sesa një mjet orientimi dhe lëvizjeje, duke e cilësuar atë si simbol të pavarësisë, sigurisë dhe të drejtës për pjesëmarrje të barabartë në shoqëri.

“Shkopi i bardhë nuk është vetëm një mjet orientimi dhe lëvizjeje, ai është simbol i pavarësisë, siç e kemi emërtuar edhe në titull të konferencës, sigurisë dhe të drejtës për të lëvizur lirshëm, për të marrë vendime dhe për të marrë pjesë në jetën shoqërore, arsimore, profesionale dhe institucionale në kushte të barabarta me të gjithë të tjerët”, tha Hajredini.

Ai theksoi se pavarësia e personave të verbër nuk varet vetëm nga aftësitë dhe përpjekjet individuale, por edhe nga mënyra se si ndërtohet shoqëria dhe sa të qasshme janë hapësirat publike, shërbimet, informacioni dhe teknologjia.

“Megjithatë, pavarësia nuk varet vetëm nga individi dhe aftësitë e tij, ajo varet edhe nga mënyra se si ndërtojmë shoqërinë, nga qasshmëria e hapësirave publike, e shërbimeve, e informacionit dhe teknologjisë, si dhe nga gatishmëria e institucioneve tona për të identifikuar dhe eliminuar barrierat që pengojnë pjesëmarrjen e barabartë. Për këtë arsye, gjithëpërfshirja nuk duhet të mbetet vetëm një parim apo deklaratë, por duhet të reflektohet në politika konkrete, shërbime të qasshme dhe rezultate të prekshme për qytetarët e verbër”, u shpreh ai.

Hajredini prezantoi edhe të dhëna për dokumentet zyrtare dhe materialet e publikuara në shkrimin Braille gjatë periudhës 2024–2026. Sipas tij, përmes këtij shërbimi është mundësuar qasje më e drejtpërdrejtë e personave të verbër në dokumente, legjislacion dhe politika publike.

“Gjatë periudhës 2024 dhe 2026 janë shtypur apo publikuar mori dokumentesh, legjislacioni dhe politikash në shkrimin Braille. Do të thotë, kemi mbi 2.190 kopje që janë në shtyp, ku nga ky shërbim kanë përfituar mbi 800 persona të verbër, ndërsa materialet janë shpërndarë në 11 shoqata apo degë të personave të verbër në Kosovë dhe në një nga bibliotekat që e bën shpërndarjen për të pasur qasje dhe informacion. Kjo ka qenë një vlerë e realizuar buxhetore mbi 68.000 euro. Natyrisht, kjo është një nisje që ne do të mundohemi të vazhdojmë, sa më shumë t’u japim qasje dhe informacion qytetarëve tanë të verbër”, deklaroi Hajredini.

Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, tha se pavarësia e personave të verbër nuk mund të mbetet vetëm përgjegjësi individuale, por duhet të mbështetet nga shoqëria dhe institucionet përmes politikave dhe mundësive konkrete.

“Por pavarësia nuk duhet të mbetet vetëm përpjekje individuale. Ajo duhet të mbështetet nga shoqëria jonë dhe nga institucionet, përmes politikave, shërbimeve dhe mundësive konkrete. Dhe ky është pikërisht orientimi ynë si Qeveri dhe si Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare. Unë besoj se mënyra se si një shtet i trajton personat me aftësi të kufizuara tregon shumë për nivelin e barazisë, solidaritetit dhe drejtësisë në atë shoqëri”, tha Hoti.

Ai theksoi se angazhimi institucional nuk është kufizuar vetëm në mbështetjen financiare, por përfshin edhe përmirësimin e shërbimeve sociale dhe avancimin e legjislacionit për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

“Prandaj, angazhimin tonë nuk e kemi kufizuar vetëm në mbështetjen financiare, ndonëse ajo mbetet shumë e rëndësishme. Ne kemi ndërmarrë hapa konkretë për të përmirësuar mbështetjen ekonomike, për të fuqizuar shërbimet sociale dhe për të avancuar kornizën ligjore që garanton të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Përmes rritjes së përfitimeve financiare në vitin 2024, Qeveria ka fuqizuar mbështetjen për personat e verbër, përfshirë kompensimin për shoqëruesit personalë, sipas kategorive të përcaktuara me ligj. Kjo mbështetje është e rëndësishme për sigurinë ekonomike dhe përballimin e nevojave të përditshme”, deklaroi ministri.

Hoti bëri të ditur se një nga proceset e rëndësishme që është duke u zhvilluar në ministrinë që drejton është reformimi i legjislacionit për personat me aftësi të kufizuara, përmes Projektligjit për Vlerësimin, Njohjen e Statusit, Përfitimet dhe Shërbimet për Personat me Aftësi të Kufizuara.

“Por ne e kemi të qartë se mbështetja financiare, sado e nevojshme, nuk mund të jetë kufiri i politikave tona. Synimi ynë është që personat e verbër të kenë jo vetëm mbështetje sociale, por edhe mundësi reale për arsimim, aftësim profesional, punësim dhe jetë të pavarur. Pikërisht për këtë arsye, një ndër proceset e rëndësishme që kemi në zhvillim është reformimi i legjislacionit për personat me aftësi të kufizuara. Ministria jonë është duke proceduar Projektligjin për Vlerësimin, Njohjen e Statusit, Përfitimet dhe Shërbimet për Personat me Aftësi të Kufizuara”, u shpreh Hoti.

Sipas tij, përmes kësaj reforme synohet krijimi i një sistemi më gjithëpërfshirës, i cili përveç gjendjes shëndetësore merr parasysh edhe nevojat funksionale të individëve, pengesat me të cilat përballen dhe mbështetjen që u nevojitet.

“Përmes kësaj reforme, po synojmë të ndërtojmë një sistem më gjithëpërfshirës, që nuk mbështetet vetëm në vlerësimin e gjendjes shëndetësore, por merr parasysh edhe nevojat funksionale, pengesat dhe mbështetjen që i nevojitet secilit individ. Ne po e orientojmë sistemin drejt një qasjeje që në qendër e vendos njeriun, dinjitetin dhe të drejtat e tij. Dhe në këtë proces, bashkëpunimi me organizatat përfaqësuese të personave me aftësi të kufizuara mbetet thelbësor. Sepse politikat më të mira ndërtohen duke dëgjuar ata që i përjetojnë drejtpërdrejt sfidat për të cilat ne hartojmë ligje dhe marrim vendime”, tha ai.

Ministri foli edhe për mbështetjen e organizatave që punojnë drejtpërdrejt me personat e verbër, duke përmendur grantet për shërbime sociale dhe iniciativat për fuqizimin e grave të verbëra.

“Një tjetër dimension i rëndësishëm i angazhimit tonë është mbështetja e organizatave që punojnë drejtpërdrejt me personat e verbër. Përmes granteve për shërbime sociale, Ministria ka mbështetur organizata që ofrojnë shërbime për kategori të ndryshme në nevojë, përfshirë personat e verbër dhe personat me vështirësi në të parit. Kemi ofruar mbështetje edhe për iniciativa që fuqizojnë pjesëmarrjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të grave të verbëra, duke përfshirë së fundmi mbështetjen për Komitetin e Grave të Verbëra të Kosovës”, deklaroi Hoti.

Ai shtoi se organizatat përfaqësuese janë partnere të rëndësishme në identifikimin e nevojave dhe hartimin e politikave publike, ndërsa theksoi se një nga prioritetet e ministrisë mbetet punësimi dhe pavarësia ekonomike e personave me aftësi të kufizuara.

“Për ne, organizatat e personave të verbër janë partnere në identifikimin e nevojave, në zhvillimin e shërbimeve dhe në përmirësimin e politikave publike. Dhe këtë bashkëpunim po e vazhdojmë, me synimin që mbështetja institucionale të sjellë rezultate të prekshme në jetën e qytetarëve.

Dua të ndalem veçanërisht te një çështje që lidhet drejtpërdrejt me përgjegjësitë e Ministrisë sonë: punësimi dhe pavarësia ekonomike. Unë besoj fuqishëm se një nga format më të rëndësishme të dinjitetit dhe pavarësisë është mundësia për të punuar, për të krijuar të ardhura dhe për të kontribuar në shoqëri. Përmes Agjencisë së Punësimit dhe qendrave të aftësimit profesional, ne kemi mekanizma dhe programe për këshillim, orientim, aftësim profesional dhe ndërmjetësim në punësim”, tha ministri.

Hoti theksoi gjithashtu rolin e teknologjisë në zgjerimin e mundësive për personat e verbër, përfshirë qasjen në profesione dhe fusha që më parë mund të konsideroheshin të paarritshme.

“Teknologjia sot ka krijuar mundësi të reja për personat e verbër, në profesione dhe fusha që dikur mund të konsideroheshin të paarritshme. Dhe ne synojmë që këto mundësi të shfrytëzohen edhe në tregun tonë të punës”, përfundoi Hoti.

Përfaqësuesi i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Bekim Krasniqi, tha se shoqata gjatë këtij viti është angazhuar vazhdimisht për përmirësimin e kushteve dhe realizimin e të drejtave të komunitetit, në koordinim me Zyrën për Qeverisje të Mirë.

Ai vlerësoi punën për ofrimin e dokumenteve zyrtare në shkrimin Braille, duke theksuar se kjo u mundëson personave të verbër të informohen drejtpërdrejt përmes një formati të përshtatshëm.

“Shoqata e të Verbërve të Kosovës vazhdimisht gjatë këtij viti është angazhuar në përmirësimin e kushteve dhe realizimin e të drejtave si komunitet, duke u bazuar në ligjin i cili na i garanton këto të drejta dhe vazhdimisht, në koordinim edhe me Zyrën për Qeverisje të Mirë, kemi avokuar që të gjejmë zbatim sa më herët, duke filluar te përmirësimi i qasjes. Siç e tha edhe drejtori, përmirësimi i qasjes dhe informimi ka vazhduar nga kjo zyrë në ofrimin e dokumenteve zyrtare në shkrimin Braille, për çka jemi shumë falënderues dhe mirënjohës që personave të verbër u mundësohet informimi direkt me dokumentet zyrtare në formën e përshtatshme”, tha Krasniqi.

Ai përmendi edhe rëndësinë e zhvillimit të sintezës vokale në gjuhën shqipe nga Ministria e Arsimit, si dhe funksionalizimin e licencave për lexuesit skanerë, të cilët mundësojnë leximin e materialeve përmes teknologjisë ndihmëse.

“Por, njëkohësisht, edhe Ministria e Arsimit me procesin që po bën në zhvillimin e sintezës vokale në gjuhën shqipe, që shpresojmë të përfundojë sa më shpejt si proces, dhe gjuha shqipe të jetë alternativë në teknologji. Mirëpo edhe realizimi i licencave për lexuesin skaner, i cili është dorëzuar fundvitin e kaluar, apo në fillim të vitit që jemi, mirëpo me përfundimin e sintezës vokale, ato nga prodhuesit, nga zhvilluesit do të funksionalizohen pas përfundimit të sintezës vokale dhe do të bëhen të përdorshme për personat e verbër që kanë nevojë, qoftë në procesin e edukimit, punësimit, apo edhe për një jetë të pavarur e të dinjitetshme”, u shpreh ai.

Krasniqi vlerësoi edhe kontributin e Ministrisë së Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare në ofrimin e shërbimeve sociale, por kërkoi që mbështetja financiare të rritet për të përmbushur më mirë nevojat e komunitetit.

“Gjithsesi, Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave ka kontribuar për përmirësimin dhe ofrimin e shërbimeve sociale, mirëpo, siç e thashë, edhe specifike për personat e verbër, por jo në masë të mjaftueshme, ku shpresojmë që në të ardhmen këto fonde do të shtohen në përmbushjen e nevojave për shërbime për komunitetin, me qëllim që këta persona të jenë sa më të integruar dhe të pavarur, e po ashtu, me pavarësinë e tyre të jenë edhe kontribuues në shoqëri, qoftë përmes angazhimit në punë, në edukim apo në debate publike, pse jo”, shtoi Krasniqi.

Të ngjashme