Shkrimtarja angleze dhuron 17 milionë euro për kërkimet shkencore lidhur me sklerozën multiple

Prishtinë | 13 Sht 2019 | 10:38 | Nga Ekonomia Online

JK Rowling ka dhuruar 18.8 milionë dollarë (17 milionë euro) për të mbështetur kërkimet shkencore në klinikën e emërtuar sipas nënës sa saj, Anne Rowling, në Universitetin e Edinburghut.

Klinika për neurologjinë regjenerative, “Anne Rowling”, është themeluar në vitin 2010, pikërisht me donacion të autores së librave për Harry Potter.

Ndërsa donacioni i saj më i ri do të ndihmojë në zhvillimin e përmbajtjeve të reja dhe do të mbështesë kërkimet për sklerozën multiple – njofton BBC News.

Skleroza multiple është një sëmundje demielinizuese, në të cilën janë të dëmtuar mbështjellësit e qelizave nervore në tru dhe në palcën kurrizore (medulla spinalis).

Ky dëmtim e pengon aftësinë e pjesëve të sistemit nervor që të komunikojnë duke shkaktuar një varg shenjash dhe simptomash fizike, mentale dhe nganjëherë edhe probleme psikiatrike.

Në simptomat specifike përfshihen problemet në shikim (nistagmus, vizion i dyfishtë, neurit optik), dobësia dhe spazmat muskulore, probleme me ndjesinë, koordinimin dhe baraspeshën, lodhje, dhimbje, vështirësi në kontrollimin e urinimit dhe defekimit, dhe shumë simptoma të tjera.

Nëna e shkrimtares, Anne Rowling, vdiq në moshë 45 vjeçare si pasojë e komplikimeve të lidhura me sklerozën multiple.

Prandaj, fokusi i kësaj qendre mjekësore janë gjendjet e ndryshme neurologjike, duke përfshirë edhe sklerozën multiple.

Të ngjashme