Shoferët e autoambulancave në Deçan kërkojnë 300 euro shtesë për rrezikshmëri në punë

Prishtinë | 02 Sht 2020 | 19:44 | Nga Ekonomia Online

Para objektit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, vozitësit e ambulancave dhe pastrueset në këtë institucion shëndetësor kanë shprehur pakënaqësinë për largimin nga listat e pagesave stimuluese për rrezikshmëri në punë në kohë pandemie.

Përderisa shtesat prej 300 eurosh i kanë marrë dy muaj, në dy muajt pasues Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Financave i kanë larguar nga listat përfituese, raporton KOHA.

Ata thanë se po ndihen të fyer, sidomos nga Ministria e Shëndetësisë, e cila, sipas tyre, as që u ka dhënë sqarim pse i ka larguar nga këto lista, pasi ata vazhdimisht janë në rrezik gjatë punës.

“Duke u nisur nga ajo se përfaqësuesi lart është jurist dhe po i drejtohem bash ministrit, drejtësi po lypim”, ka thënë Sylë Hadergjonaj, vozitës i autoambulancës dhe përfaqësues i vozitësve dhe pastruesve në QKMF në Deçan.

Drejtori i QKMF-së në Deçan, Selman Berisha, tregon se Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Financave ua ka dërguar listat komplet të punëtorëve për dy muaj ashtu siç kanë kërkuar.

Megjithatë, Berisha nuk e kupton pse vozitësve të autoambulancave tash po u mohohet kjo e drejtë.

“Punëtorët me plot të drejtë kërkojnë të drejtat e veta dhe unë mendoj që kësaj kategorie ju i keni hy në hak në këtë rast. Nuk po dua me gjet kush është fajtori, mirëpo organet relevante kishte qenë mirë që këtë gabim ta përmirësojnë. Se ky nuk është shqetësim i QKMF-së vetëm në Deçan, por është shqetësim në nivel vendi”, ka thënë Selman Berisha, drejtor i QKMF-së në Deçan.

Problemi i njëjtë është ngritur edhe në komuna të tjera.

“Na jemi direkt të lidhur me infeksion. Vendimin e qeverisë i respektojmë por duhet me pas parasysh edhe ata që edhe ne jemi të dëmtuar e të rrezikuar sikurse krejt stafi mjekësor”, është shprehur Shaban Kaliqani, vozitës i autoambulancës në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.


Përveç për vozitësit e pastruesit, pakënaqësi për shtesat prej 300 eurosh, shfaqën edhe tek infermierët, ku Sindikata pas takimeve me drejtues të SHSKUK-së u dakordua që një listë të përditësuar t’ia dorëzojë Ministrisë së Shëndetësisë.

Të ngjashme