Shoferit D.L. (52 vjeç) të autobusit nga Kosova, në të cilin mbetën të vdekur 10 shtetas të Kosovës në një aksident në autostradën afër Slavonski Brodit në Kroaci në korrik të këtij viti, i ishte caktuar masa e paraburgimit prej dy muajsh, ka konfirmuar avokati i tij, Igor Cishper.
“Një muaj më parë, klientin tim e liruan për t’u mbrojtur në liri. Atij iu dhanë masa paraprake dhe duhet të jetë në Zagreb. Me ndihmën e familjes ai siguroi strehim. Në fund të javës së kaluar gjykata la në fuqi ankesën e prokurorisë dhe vendosi që ai të shkojë në paraburgim për dy muaj. Ai është në adresën në Zagreb dhe po pret që policia ta marrë”, ka thënë Cishper, i cili beson se vendimi nuk është i mirë, raporton mediumi kroat “24sata”.
“Është në gjendje shumë të keqe psikike, është ende mirë fizikisht, por kjo e ndikon shumë. Ai respekton të gjitha vendimet në lidhje me rastin dhe mendoj se duhet të qëndronte për t’u mbrojtur nga liria”, shtoi Cishperi.
Shoferi i autobusit për Slloveninë është shtetas i huaj, ndaj për shkak të mundësisë së arratisjes i është caktuar masa e paraburgimit. Gjegjësisht, Kroacia dhe Kosova nuk kanë marrëveshje për bashkëpunim në procedurë penale, e cila parasheh ekstradimin reciprok të qytetarëve për shkak të ndjekjes penale.
Në periudhën paraprake atij i është caktuar masa e paraburgimit në dy raste. Shoferi u la i lirë më 22 nëntor nga gjykata, për t’u mbrojtur në liri.
Sipas mediumit kroat “Telegram”, Mirko Svirçeviq, gjykatës i Gjykatës së Qarkut Slavonski Brod, e liroi atë. Ai e ka bërë këtë përkundër faktit se shoferi i autobusit, shtetasi i Kosovës D. L., nuk ka kaluar ekspertizën psikiatrike, psikologjike dhe neurologjike të kërkuar nga Prokuroria e Qarkut.