Prej kohësh një veturë e tipit BMW po shqetësonte qytetarët e Prishtinës me lëvizje e me muzikë të lartë. Drejtuesi i saj, R.H., 34-vjeçar u ndalua sot, teksa ne dosjen e policisë ndaj tij figurojnë 225 gjoba për kundërvatje të ndryshme në trafik.
Këtë informacion e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.
“Ngasësi i automjetit R.H, mashkull, 34 vjeç, është identifikuar sot nga ana e policisë dhe i njëjti është shoqruar në Stacionin Policor Veriu Prishtinë. Pas verifikimit në të dhënat e policisë, ka rezultuar se personit në fjalë nga ana e policisë i figurojnë 225 gjoba”, tha Ahmeti.
34-vjeçari dyshohet se ditën e djeshme bëri lëvizje të rrezikshme në rrugën Prishtinë-Podujevë, duke rrezikuar pjesemarrësit e tjerë në trafik.
“Në rrjetet sociale gjatë ditës së djeshme, ka qarkulluar një video-incizim në të cilën vërehet, se si në magjistralen Prishtinë -Podujevë , në kryqëzimin në fshatin Leban, ngasësi i automjetit të tipit BMW ngjyrë e gjelbër, bënë lëvizje të rrezikshme me automjetin në fjalë dhe rrezikon seriozisht pjesmarrësit tjerë në trafik”, tha Ahmeti.
I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje si dhe i është sekuestruar vetura përkohësisht.
“Personi i dyshuar pas intervistimit dhe përfundimit të procedurave të nevojshme policore, me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për veprën “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” si dhe është sekuestruar përkohsisht automjeti”, përfundoi Ahmeti.