Një qytetar nga Prizreni është ankuar në Polici se “me datën 23.02.2024 nga persona të panjohur i është vjedhur automjeti të cilin e kishte në shfrytëzim dhe e kishte të parkuar në rrugën ‘’Ali Dida’’ në qytetin e Prizrenit”.
Me ta raportuar si rast Policia e Kosovës, e ka iniciuar si “Vjedhje e rëndë” kështu duke i filluar edhe hetimet.
Por, më vonë është kuptuar se personi i cili është ankuar e ka harruar vendin se ku e kishte parkuar automjetin e tij.
“Me datën 26.02.2024 automjeti në fjalë është gjetur i parkuar në rrugën ‘’Sylejman Rrotalla’’ në qytetin e Prizrenit dhe nga hetimet është vërtetuar se ankuesi i lartcekur ka ngatërruar (harruar) vend parkimin e automjetit në fjalë. Automjeti pas përfundimit të procedurave i është kthyer pronarit legjitim”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Me këtë rast Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka ftuar të gjithë qytetarët që të jenë të vëmendshëm gjatë parkimeve të automjeteve të tyre për mënyrën dhe lokacionin e parkimit, pasi që raste të tilla vazhdojnë të raportohen në Policinë e Kosovës.