Shoqata e Artarëve dhe Argjendarëve të Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës korrigjimin e udhëzimit administrativ për skemën e veçantë për arin e investueshëm, duke saktësuar që shitjet të mos jenë vetëm ndërmjet personave “të tatueshëm”, por edhe për shitjet me pakicë.
Kryetari Enver Pakashtica, dhe anëtarë të tjerë të kësaj shoqate, që është pjesë e Odës Ekonomike të Kosovës, kanë takuar ministrin e Financave, Avdullah Hoti; ministren e Tregtisë dhe Industrisë; Hykmete Bajrami; drejtorin e Përgjithshëm të Doganës, Bahri Berisha; dhe zëvendësdrejtorin e ATK-së, Nahit Sharku; me ç’rast kanë paraqitur vërejtjet e tyre rreth Udhëzimit Administrativ 05/2016 për skemën e veçantë për arin e investueshëm.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, si nikoqir i takimit, falënderoi përfaqësuesit e institucioneve që i janë përgjigjur ftesës së shoqatës. “Prania juaj e dëshmon partneritetin publik-privat”, deklaroi ai.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se janë në këtë takim për të vazhduar dialogun me përfaqësues të bizneseve. “Ne e kemi konsumuar pothuajse debatin për politikat fiskale me Odën dhe shoqatat dhe për shumicën e masave jemi dakorduar. Ne e kemi bërë bashkë këtë udhëzim me juve dhe do të ulemi bashkë për ta përpunuar”, u shpreh Hoti.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se MTI-ja nuk ka qenë e involvuar në këtë ligj. “Por, sot po ia kushtojmë rëndësinë këtij udhëzimi dhe me kërkesën e juaj, ne mund ta ndryshojmë”, tha ajo.
Kryetari i Shoqatës, Enver Pakashtica, sqaroi se kërkesë e tyre është korrigjimi i nenit dy në udhëzimin administrativ. “Ky korrigjim ka të bëjë me termin person i tatueshëm, i cili kërkohet të zëvendësohet me termin person, bazuar në Ligjin për Administratën Tatimore dhe Procedurat, përkatësisht në Udhëzim Administrativ të futen të gjithë aktorët biznesorë, deklarues dhe jodeklaruese të TVSh-së”.
“Ne po eksportojmë para, e po importojmë mall pa vlerë. Kërkesa jonë është që neni dy të përmirësohet, që secili të ketë të drejtë të importojë”, tha Pakashtica.
Nait Sharku, zëvendësdrejtor i Administratës Tatimore të Kosovës, tha se kjo është një kërkesë që duhet shqyrtuar më detajisht. Ai u zotua se këshilltarët e ATK-së do të merren me këtë çështje.
“Ligji i TVSh-së kërkon që edhe subjektet vullnetare të hyjnë në këtë. Ne do ta diskutojmë dhe pastaj të shohim a ka hapësirë të trajtimit”, tha Sharku.