Sektori bankar ka shënuar rritje të lartë të depozitave duke arritur në 9.4% në Maj, 2017. Kjo është rritja më e madhe në pesë vitet e fundit dhe është një indikator i mirë i besueshmërisë dhe stabilitetit të bankave komerciale.
Njëkohësisht, norma e interesit në kredi ka arritë në nivelin më të ulët që është shënuar ndonjëherë në këtë sektor, duke shënuar 6.8% si mesatare e peshuar e normave të interesit. Kjo normë e interesit është në mesataren e rajonit dhe mundëson një zgjerim më të madh të kreditimit.
Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave, Petrit Balija, pohon se “lehtësimi në kreditim vërehet edhe në të dhënat në fund të vitit 2016 të cilat tregojnë se bankat komerciale kanë dhënë mbi 1 miliard euro kredi të reja. Kjo ka bërë që bankat të jenë një ndër kontribuesit më të mëdhenjë të rritjes ekonomike të Kosovës, respektivisht GDP-së, gjatë vitit 2016”.
Sipas Balisë, pritet që gjatë vitit 2017, bankat do të vazhdojnë me lehtësimin e procedurave dhe kushteve të kreditimit dhe rritjes së portfolit kreditor si për ekonomitë familjare ashtu edhe për bizneset.
Aktualisht, sektori bankar në Kosovë ka 10 banka komerciale të cilat përfaqësojnë asete në vlerë prej afër 3.7 miliard Euro.