Është zhvilluar një takim në mes të përfaqësuesve të Shoqatës së Bankave në Kosovë dhe Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve.
Në takim u diskutuan problemet që janë shfaqur në funksionimin e regjistrit të pengut i cili menaxhohet nga ana e ARBK, Sektori i Regjistrit të Pengut.
Ky regjistër është përcjell me probleme të vazhdueshme në funksionim dhe për këtë janë ankuar disa herë bankat komerciale përmes Shoqatës së Bankave.
Sipas Shoqatës së Bankave, zyra e ARBK Sektori i Pengut, duhet të mbështetet më shumë nga MTI dhe niveli qendror për të avancuar sistemin e regjistrit të pengut pasi që përkundër angazhimeve të ARBK, kjo përkrahje ka munguar deri më tani.
Megjithatë, bankat vazhdojnë të ballafaqohen me probleme gjatë regjistrimit të pengut si pjesë e procedurës së aprovimit të kredive. Sipas drejtorit ekzekutiv të Shoqatës së Bankave të Kosovës Petrit Balija, ky regjister i menaxhuar nga ARBK resepktivisht Ministria e Tregtisë nuk ka qenë në nivelin e duhur dhe kjo po paraqet probleme jo vetëm për bankat por edhe për qytetarët të cilët aplikojnë për kredi ose kërkojnë lirimin e pengut ku paraqiten vonesa për shkak të mos funksionimit adekuat të këtij regjistri.
Balija kërkon nga MTI por edhe nga Ministria e Administratës Publike, respektivisht ASHI, që të trajtoj këto probleme me prioritet në mënyrë që të lehtësohet qasja në financa për qytetarët e Kosovës.
Balija thekson se Bankat komerciale dhe përdoruesit e tjerë të regjistrit paguajnë tarifa të rregullta për shfrytëzimin e këtyre shëribmeve andaj edhe kërkojnë funksionim adekuat .