Tetori është Muaji i Ndërgjegjësimit për Sigurinë Kibernetike. Në mbarë botën çdo vit në muajin
tetor lansohen fushata për të promovuar ndërgjegjësimin për sigurinë kibernetike dhe praktikat
më të mira midis individëve, bizneseve dhe organizatave. Qëllimi kryesor i Muajit të
Ndërgjegjësimit për Sigurinë Kibernetike është të edukojë njerëzit për rëndësinë e sigurisë
kibernetike dhe t’i ndihmojë ata të bëhen më vigjilentë dhe të sigurt në aktivitetet e tyre në
internet.
Gjatë Muajit të Ndërgjegjësimit për Sigurinë Kibernetike, Shoqata e Bankave të Kosovës ka
paraparë lansimin e materialeve informuese në formën e videove në televizionet lokale dhe
rrejtet sociale të SHBK-së. Këto video të përgatitura në bashkëpunim me ekspert të sigurisë
kibernetike përmbajnë mesazhe të ndryshme që do të vihen në dispozicion të publikut për të
rritur ndërgjegjësimin rreth kërcënimeve të sigurisë kibernetike dhe për të ofruar udhëzime se si
të mbrohemi kundër tyre. Temat që do të trajtohen në video janë: email-at phishing, autentifikimi
me shumë faktorë, mbrojtja e të dhënave gjatë blerjeve online dhe rëndësia e fjalëkalimeve të
forta. Videon e parë të lansuar për email-at phishing mund ta ndiqni në këtë link:
https://www.facebook.com/ShoqataeBankaveteKosoves/videos/858381002683222
Ne ju ftojmë të na ndiqni përgjatë gjithë muajit tetor për videot e tjera dhe të ndiqni intervistat
me ekspertët e sigurisë kibernetike për informata dhe këshilla praktike për të rritur sigurinë
online, që do të lansohen në rrjetet tona sociale.
Për të trajtuar çështjen e sigurisë kibernetike në rrafshin profesional, Shoqata e Bankave të
Kosovës në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave më 25 tetor 2023, organizojnë
forumin “Siguria Kibernetike në Industrinë Bankare”. Organizimi i një forumi të sigurisë kibernetike
është thelbësor për nxitjen e ndërgjegjësimit, ndarjes së njohurive, bashkëpunimit dhe zhvillimit
të aftësive në fushën e sigurisë kibernetike. Duke bashkuar ekspertët dhe palët e interesit, kjo
ngjarje do të kontribuojë në krijimin e një mjedisi digjital më të sigurt për individët, institucionet,
organizatat dhe shoqërinë në tërësi.
I pasur me ekspertë nga Kosova dhe Shqipëria, forumi “Siguria Kibernetike në Industrinë Bankare”,
do të ndihmojnë në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e sigurisë kibernetike dhe do të
bashkoj profesionistë e entuziastë të kësaj fushe të ndajnë njohuritë dhe përvojat e tyre. Po ashtu,
forumi do të ofroj një platformë të shkëlqyer për rrjetëzim, do të përmbajë panele diskutimi mbi
kërcënimet kibernetike, dobësitë dhe teknikat e sulmit, e mbi të gjitha do të ndihmojë
pjesëmarrësit të kuptojnë më mirë natyrën e kërcënimeve dhe të përshtatin masat e tyre të
sigurisë në përputhje me rrethanat.