Shoqata e Gastronomëve: Urgjentisht të hiqet kufizimi i lëvizjes

Prishtinë | 30 Nën 2020 | 12:21 | Nga Ekonomia Online

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, ka kërkuar urgjentisht që të hiqet kufizimi i lëvizjes, për shkak që sipas tyre, ky kufizim nuk e ka ulur numrin e rasteve me koronavirus.

Në një reagim të tyre, ata kanë paralajmëruar kolapsim të shumë bizneseve, teksa thonë se dita-ditës po vazhdon largimi i punëtorëve nga puna.

Ata kanë kritikuar festat e bërë mbrëmë në Podujevë, pas përfundimit të procesit zgjedhor, duke iu thënë: turpi ju mbuloftë.

Reagimi i plotë nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës:

Shoqata e Gastronomëve të KosovësTë shqetësuar nga rezultatet jopremtuese nga masat e fundit të aplikuara nga ana e QK-së, që nga data 13 nëntor e deri më sot, jemi dëshmitar që lakorja e infeksionit COVID-19 vetëm është përkeqësuar. Më shumë se kjo, kemi rritjen e lakores së dëmit ekonomik, e cila çdo herë e më shumë po thellohet.

Këto politika që nga fillimi i pandemisë e deri më tani, është evidente që nuk po arrijnë qëllimin e tyre, përkundrazi të pamenduara dhe shumë të rrezikshme për vendin, që do ti lëjnë gjurmët e pasojat e tyre për një kohë të konsiderueshme edhe pas pandemisë.

Sa i përket ndikimit të pandemisë dhe masave të QK në aspektin ekonomik, tashmë është evidente që sektori i gastronomisë është më i godituri në vend. Sipas të dhënave të Agjensionit Statistikor të Kosovës (ASK), të hyrat dhe qarkullimi i sektorit të gastronomisë në krahasim me vitin 2019 dhe 2020, vetëm në tremujorin e dytë (TM2), rezultojnë të kenë pasur rënie prej 64%, si asnjë sektor tjetër në Kosovë.

Nga dy sondazhe të bizneseve dhe punëtorëve të raportit hulumtues të ndikimit të pandemisë në gastronomi të përgaditur nga SHGK dhe Korb Marketing&Research, kemi të raportuar që 36% e bizneseve të gastronomisë, janë detyruar që të largojnë nga puna punëtorët e tyre si pasojë e zvogëlimit të vëllimit të ushtrimit të veprimtarisë dhe problemeve të likuiditetit.

Nëse kjo atmosferë e shkaktuar ekonomike vazhdon edhe më tutje, bizneset nuk mund ta mbijetojnë këtë situatë dhe 56% e tyre kanë raportuar që do të largojnë edhe më shumë staf nga puna.Në këto rrethana, urgjentisht ju bëjmë thirrje që këto masa të hiqen, si jo efektive, e aq më pak të mendohet mbyllja totale pa ndonjë plan për mbështetjen financiare në ekonomi.

Për më tepër rreth COVID-19, mos të harrojmë që përhapja më e madhe e infeksionit ndodhë në hapësirat e institucioneve publike të cilat nuk i respektojnë masat parandaluese, nuk inspektojnë hapësirat e tyre të brendshme, por që kanë fokus primar dënimin e bizneseve private dhe këmbësorëve, duke shkaktuar papunësi të madhe në sektorin privat, derisa bëjnë çmos për të garantuar që pagat dhe mëditjet e tyre të mos u preken.

Për të përfunduar, të gjitha këto dhe i tërë serioziteti i kësaj çështjeje, përveç tjerash shpjegohet më së miri me mesazhin që kemi kuptuar të gjithë me turmat e pakontrolluara të njerëzve, mbledhjet, organizimet dhe fushatat e padinjitetshme të politikanëve në zgjedhjet e fundit në Podujevë, etj.

Pra, Ky është shembulli që marrim në këtë kohë krize e fatkeqësie!Turp ju qoftë!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme