Shoqata e Gjykatësve të Kosovës ka reaguar në lidhje me lartësinë e koeficientit të përcaktuar me Projektligjin për Paga në Sektorin Publik, sa i përket lartësisë së koeficientit për pagat e gjyqtarëve.
Ata kanë kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë, që ti ndërmarrin të gjitha veprimet për rregullimin e koeficientit për pagat e gjyqtarëve.
Reagimi i plotë i Shoqatës së Gjykatësve të Kosovës:
Shoqata e Gjykatësve të Kosovës, edhe një herë shpreh pakënaqësinë, në lidhje me lartësinë e koeficientit të përcaktuar me Projektligjin për Paga në Sektorin Publik, sa i përket lartësisë së koeficientit për pagat e gjyqtarëve, kërkojmë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë, që ti ndërmarrin të gjitha veprimet për rregullimin e koeficientit për pagat e gjyqtarëve.
Me Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik, janë caktuar koeficientet edhe për gjyqtarët, por koeficienti i caktuar për gjyqtarë është në kundërshtim me Ligjin për Gjykatat Nr.06/L-054, përkatësisht me nenin 35 par 2 të këtij ligji, është paraparë se paga e një gjyqtari nuk do të zvogëlohet gjatë mandatit në të cilin gjyqtari është emëruar, përveç sanksionimit disiplinor të vendosur nën autoritetin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Po ashtu ulja e pagës është në kundërshtim me Kartën Evropiane mbi Statutin për Gjyqtar neni 6.
Më këtë reagim njoftohet: Këshilli Gjyqësor i Kosovës Qeveria e Kosovës si hartuese e projektligjit, Kuvendi i Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë si organe vendimmarrëse për këtë çështje.