Shoqata e Grave të Shërbimit Korrektues të Kosovës, e mbështetur nga OSBE-ja, ka mbajtur kuvendin e parë vjetor, në të cilin morën pjesë përfaqësuese të EULEX-it, ICITAP-it dhe partnerë të tjerë, të cilët mbështesin SHKK-në.
Në kuvend është diskutuar për punën dhe sfidat me të cilat përballen gratë që punojnë në institucione korrektuese.
Përmes këtyre diskutimeve kjo shoqatë synon të kultivojë një mjedis që inkurajon zyrtaret e institucioneve Korrektuese për barazi gjinore, etnike në vendin e punës dhe shoqëri, si një aspekt i forcimit të sundimit të ligjit dhe trajtimit të barabartë.
Me këtë rast, kryetarja e Shoqatës së Grave të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Zyrafete Imeraj tha se kjo shoqatë është e angazhuar për të fuqizuar rolin e grave në institucionet Korrektuese të vendit.
“Përmes kësaj shoqate ne synojmë avancimin e statusit të grave në profesion”, deklaroi Imeraj.
Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, e përgëzoi, kryetaren zj Imeraj për punën e bërë deri më tani dhe njëherit i inkurajoi të gjitha gratë që në të ardhmen të konkurrojnë më shumë në pozita udhëheqëse brenda shërbimit, sepse padyshim gruaja do ta zë vend të merituar dhe të barabartë brenda sistemit korrektues.
Në fund, kryetarja e Shoqatës së Grave të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Zyrafete Imeraj, i falënderoi donatorët dhe të gjitha gratë pjesëmarrëse në këtë kuvend.
Kuvendi ka vazhduar me punëtorinë nga e cila kanë dalë rekomandimet për hartimin e Strategjisë zhvillimore të Shoqatës.